Kundër zgjedhjeve të improvizuara

Komisioni për Reformë Zgjedhore do t’i bartë kompetencat e saj te Komisioni për Legjislacion. Arsim Bajrami thotë se duhet të kryhet reforma dhe subjektet të adaptohen me të. Ai është kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat i quan të improvizuara.

Lajme

31/01/2014 10:57

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami ka thënë se Kosova nuk është e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

Në debatin e sotëm për reformën zgjedhore, ai kërkoi që reforma zgjedhore të kryhet, ndërsa u shpreh kundër shkuarjes në zgjedhje të imporvizuara.

“PDK është e interesuar që procesi zgjedhor të shkojë në mënyrë të rregullt dhe ky proces të përfundohet me sukses”.

“Improvizimi për zgjedhje të jashtëzakonshme nuk i bën mirë zgjedhjeve”.

Bajrami kërkoi që të plotësohen tre kushte përpara se të shkohet në zgjedhje.

“Të arrihet konsensus dhe liderëve rreth reformës zgjedhore”

“Gjatë muajit shkurt duhet të finalizohet ligji për zgjedhje nacionale”.

“Gjithashtu duhet të ketë kohë të mjaftueshme që partitë të adoptohen me ligjin për zgjedhje”.

“Të gjitha organet kushtetuese ato që menaxhojnë procesin zgjedhor të jenë të përgatitura për monitorimin e procesit zgjedhor”.

“Më me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të rregullta, Kosova nuk është e përgatitur për zgjedhje”.

Arsim Bajrami tha se amandamentimi i reformës zgjedhore duhet që të bëhet në një atmosferë të qetë.

“Reforma zgjedhore kërkon që debati të mbahet në një atmosferë të qetë”.

“Ne duhet të arrijmë minimumin e konsensusit sepse dihet që konsensus për të gjitha gjërat nuk do të ketë”.

“Nuk kemi nevojë që nga dëshirat individuale të një partie dhe pastaj të themi se zgjedhjet nuk kanë qenë të mira”.

“Duhet të prodhojmë zgjedhje të mira dhe demokratike”.

Ndërkaq, ish-kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Haki Demolli kërkoi që të gjitha materalet e punës të këtij komisioni ti kalojnë Komisionit për Legjislacion.

Ai si arsye më të fortë për këtë gjë e dha limitet kohore që ka Komisioni ad hoc.

“Fillimisht është mirë që materiali i punës t’i dërgohet Komisionit për Legjislacion, e më pas të debatohej”.

“Do të krijonin infrastrukturë  ligjore më të fortë ligjore se sa ajo që është në fuqi”

Draftligji për zgjedhjet për shkaqe objektive nuk është draftuar nga Komisioni ad hoc.

“Personalisht nuk mendoj që Komisionit ad hoc duhet t’i vazhdohet mandati. Drafligji për zgjedhje duhet t’i procedohet Komisionit për Legjislacion”.

“Komisioni ad hoc mund t’i vazhdohet mandati kurse Komisioni për Legjislacion nuk do të ishte i kufizuar dhe nuk do të ishte në presion të kohës”, tha Haki Demolli.