Kundër homofobisë

LGBT nuk e kanë vetëm me martesën. E kanë me pranimin dhe jo përjashtimin. Me integrimin dhe jo margjinalizimin. Me të qenit dinjitozë deri në fund dhe jo për kapriçio dasmash.

Opinion

06/11/2013 14:49

Është shumë interesante të monitorosh këto ditë pjesën më të madhe të debateve që po zhvillohen për martesat gej. Është diçka që nuk shmanget dot, e në të njëjtën kohë është diçka shumë e mirë. Ky debat, që ne do duhet ta bëjmë, mund të zgjasë pak, ose mund të zgjasë shumë, por është e sigurt se nuk ka mundësi asnjë grup, asnjë individ që të ndalë historinë.

Diçka tjetër ama, më bën më shumë përshtypje. Sa vetë nga këta që janë kundër martesave gej e kanë lexuar ndonjëherë kodin e familjes?

Sa vetë nga këta kanë qenë po kaq të interesuar për kodin e familjes këtu e dhjetë vjet më parë kur ai u miratua? Sa vetë nga këta kanë shpenzuar atëherë të njëjtën energji që po shpenzojnë sot për të thënë fjalën e tyre për familjen?

Janë konfuzë në shumicën e rasteve. Njëherë thonë “familja është e shenjtë”, njëherë tjetër thonë “martesa është e shtrenjtë”.

Unë besoj se familja nuk është as e shenjtë, as profane. Aq më tepër martesa shqiptare e përkufizuar 10 vjet më parë në një proces që as u mor vesh si u bë e nga kush u bë. Familja është mënyra më e natyrshme që dikush ndjek për të jetuar. Familjen e origjinës nuk e zgjedh dot. Familjen që krijon kur rritesh e zgjedh që ç’ke me atë punë, përveç rasteve të njerëzve fatkeq që i detyrojnë të martohen me zor.

Thelbi është që komuniteti LGBT ka vite që i krijon familjet e veta ashtu siç do, bazuar plotësisht në frymën e këtij kodi familje që nis me përcaktimin: familja ndërtohet mbi bazën e dashurisë. Këta njerëz nuk dalin dot në televizor që të thonë: kjo është familja ime!

Mbrojnë pa e ditur se çfarë mbrojnë dhe pa e lexuar, një kod që është vetëm 10 vjet i vjetër dhe nuk e kuptojnë që dhe LGBT po këtë kod mbron dhe po në këtë kod kërkon të përfaqësohet. Pastaj flasin se mbrojnë familjen tradicionale, por në fakt gënjejnë, se po të mbronin familjen tradicionale, do flisnin sot për të gjitha mëkatet që i kanë shkaktuar familjes, për prindërit e moshuar që i izolojnë, për marrëdhëniet e shkatërruara mes vëllezërve apo mes vëllezërve e motrave për shkak të konflikteve me pronën, për dhunën e tmerrshme brenda familjeve, për mungesën e besimit mes bashkëshortëve, e shumë e shumë “mëkate” të tjera.

Këta nuk e kanë hallin fare te familja, se po ta kishin, familja shqiptare do ishte tjetër sot. Nuk e kanë hallin fare as te martesa, konceptin ligjor të së cilës nuk kanë pasur kuriozitet as të ulen ta lexojnë, jo më ta dinë. Nuk e kanë hallin as te parimet biblike apo ato të Kuranit se do e dinin (po të ishin vërtet besimtarë) që në fakt, martesa ishte rrjedhojë e mallkimit të njeriut pas mëkatit të parë (do martoheni u tha perëndia sikur t’u fliste për një mallkim dhe jo për një dhuratë hyjnore, dhe ti, – i tha pastaj burrit, – do dalësh të punosh!).

Nuk e kanë hallin as edhe te fëmijët, se po ta kishin, nuk do të kishim më shumë se 60 për qind të fëmijëve shqiptarë të dhunuar psikologjikisht (raporti i BECAN 2013, bazuar në studimin e 30 mijë fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të tyre) apo po aq të dhunuar fizikisht. Nuk do të kishim fëmijë që vuajnë nga neglizhimi në familje, në shkollë apo kudo. Do të kishim fëmijë më të shëndetshëm.

Të gjithë hallin në lidhje me debatin e martesave gej, këta e kanë te homoseksualët. Kauza publike e tyre me shumë gjasa shfaq hapur imoralitetin e status-kuosë në të cilën jetojnë, e që jo pak herë përmblidhet të ajo familja tradicionale: burrë + grua + dashnore!

Por dhe LGBT nuk e kanë vetëm me martesën. E kanë me pranimin dhe jo përjashtimin. Me integrimin dhe jo margjinalizimin. Me të qenit dinjitozë deri në fund dhe jo për kapriçio dasmash. Kjo e martesave nuk është vetëm një debat ligjesh, është një betejë për emancipim dhe një betejë e madhe kundër homofobisë.

 

Autori është aktivist LGBT nga Tirana.