Kumnova thotë se kërkim-falja e Jabllanoviqit nuk mjafton
Kërkim-falja e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Alekansandar Jabllanoviq nuk mjafton dhe se protestat do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e tij.

Lajme
Kështu ka thënë për Gazetën Tribuna, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nusrete Kumnova. Sipas saj, protesta e radhës gjithëpopullore do të mbahet shumë shpejt në Prishtinë.
“U zhgënjeva pamasë kur një ministër si Jabllanoviq pas gjithë atyre fyerjeve që i ka bërë nënave të Gjakovës dhe gjithë familjareve të Kosovës, del kinse po kërkon falje.
Kërkim-falja nuk pranohet në asnjë mënyre, përveç dorëheqjes. Protestat do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e tij. Besoj se shumë shpejt do të thirret protesta e radhës”, ka thënë Kumnova.
Po ashtu, ajo ka thënë se është në pritje të seancës se Kuvendit për të parë reagimet e deputetëve.
Ditë më parë ministri serb i kishte quajtur egërsira nënat e të vrarëve të Gjakovës, gjë që ka irrituar shumë qytetarë të cilët në mënyre masive të shtunën protestuan në Gjakovë duke kërkuar dorëheqjen e Aleksandër Jabllanoviqit.