Kumbulla flet pas golit vendimtar të shënuar ndaj Milanit

Pas golit ndaj Young Boys që i dha fitoren Romës në ndeshjen e parë në grupe në Ligën e Evropës, Marash Kumbulla u bë sërish protagonist me Romën e tij këtë herë duke realizuar në ''San Siro'' ndaj një emri të madh si Milani golin e tij të parë në Serie A me verdhekuqtë, një gol me peshë që ndali hovin e Milanit pas 4 fitoresh në 4 ndeshjet e para dhe i prishi mbrëmjen Zlatan Ibrahimovicit që në këtë sfidë realizoi një dygolësh.

Sport

27/10/2020 11:23

Në një intervistë për mediat italiane pas golit, Kumbulla foli për golin, sfidën ndaj Milanit dhe sesi ja ndryshoi jetën Verona.

“Gjithmonë kam qenë një qendërmbrojtës, por e kisha atë zakonin e shënimit. Vitet e fundit kam luftuar më pak për të shënuar, por gjithmonë e kam pasur atë instinkt”.

“Për fat të mirë topi shkoi në shtyllën e dytë dhe unë arrita të shënoj”, shton Kumbulla. Më tej ai pranon se ka shumë për t’u përmirësuar, sikurse e drejton gishtin nga vetja për golin e parë që Roma pësoi kundër Milanit mbrëmë.

“Unë mund të përmirësohem shumë në gjithçka. Kam bërë një gabim që mund ta kisha shmangur. Për fat të mirë shënova dhe e kompensova atë. Po integrohem mirë falë shokëve të skuadrës dhe shpresoj të përmirësohem”, u shpreh 20-vjeçari i kombëtares shqiptare.

Sigurisht ai nuk mund të hedhë poshtë atë që i dha Hellas Verona një vit më parë: “Jeta ime ka marrë një përshpejtim të dukshëm falë Verona e Juric. Ata më dhënë menjëherë besim, pastaj këtë vit u përmirësova dhe isha në gjendje të luaja si titullar në Serie A. Tani shpresoj me Romën të bëj sa më mirë të jetë e mundur”.