Kumbaro: Kosova në UNESCO, proces i domosdoshëm për Ballkanin

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro thotë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, është i domosdoshëm, një proces i merituar, dhe që iu vlen të gjitha vendeve të Ballkanit, pasi bëhet fjalë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, dhe se kultura nuk ka kufij.

Lajme

21/10/2015 08:10

Duke qenë të gjithë pjesë e UNESCO-s vendet e Ballkanit duhet të kujdesen për kulturën e shtetit fqinj në të njëjtën mënyrë si për trashëgiminë e tyre kulturore, pasi flitet për një hapësirë të përbashkët.

Në një intervistë për KosovaPress në Tiranë, ministrja Kumbaro thotë se Kosova me territorin, banorët, historinë, monumentet dhe kulturën që mbart është një pjesë e mozaikut kulturor të rajonit të Ballkanit.

Të gjitha shtetet e Ballkanit janë në UNESCO dhe është absurde, madje qesharake, që një parcele e këtij rajoni të mos jetë formalisht brenda.

“Kultura nuk ka kufij administrativë, e aq më pak luftarakë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar, por duke përfshirë dhe shkëmbyer reciprokisht. Kjo qëndron në vetë thelbin organizatave si UNESCO”, thotë Kumbaro.

 

Kumbaro është e mendimit se trashëgimia që bart trualli dhe shteti i Kosovës do të përfitojë nga konventat e UNESCO-s në metodologji, në përvojë e në zbatim; do të përfitojë përvojën më të mirë të vendeve të tjera anëtare të UNESCO-s; do të përfitojë promovimin e vlerave të saj në kuadër të UNESCO-s; do të përfitojë nga programet e zhvillimit në trajnim, restaurim, konservim dhe vlerësim; do të jetë nën kujdesin profesional dhe ndërkombëtar të organizatës, ku jo vetëm merr, por edhe jep.