Kujtohet Nënë Tereza në 104 vjetorin e saj
Janë bërë 104 vjet që kur u lind Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza. Edhe pse ajo vdiq në vitin 1997, nderimet për veprat e saja humane nuk po ndalen asnjëherë.

Lajme
Kësaj radhe, një nderim për lindjen dhe veprën e saj e kanë bërë edhe disa të rinj në Kosovë.
Me iniciativë të “Infinity Art” dhe me përkrahje të Ipeshkvisë së Kosovës, në Katedralen e Prishtinës është shfaqur sot një ekspozitë me portretet e Nënës Terezë.
E sipas Ipeshkvit të Kosovës, Don Lush Gjergji, ky është një rast i mirë se si të rinjtë kanë gjetur frymëzim në jetën dhe veprën e Nënës Terezë, duke treguar po ashtu edhe se si të rinjtë e kanë përjetuar, si ata e shohin, si ata mundohen të na ofrojnë dhe dhurojnë neve t’i kemi punimet e tyre.
“Unë mund tu them miqve, Nënë Tereza, pati sy siç fatbardhësisht kemi ne, por sytë e saj ishin .. dhe panë më thellë se që shohim ne. Nënë Tereza pati vesh, siç kemi edhe ne. Veshtë e saj dëgjuan vajin, dhembjen, pikëllimin e botës mbarë, njerëzimit”.
“Nënë Tereza, pati një zemër të madhe dhe atë zemër ia dhuroi zemrës së Krishtit dhe çdo njeriu, sidomos atyre që ishin të braktisur, të lënë pas dore dhe të vështirë për t’u shikuar”, ka thënë ai.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë deri më 5 shtator, pikërisht në ditëlindjen e Nënës Terezë.