Kujdes nga politizimi i Trepçës
Halil Qela bën thirrje që sa më shpejt të zgjidhet statusi i Trepçës. Ai shfaq brengën se procesi i përcaktimit të statusit të këtij kombinati mund të politizohet nga ana e Serbisë.

Lajme
Për fatin e kompleksit të Trepçës, ende nuk është vendosur asgjë, ndërsa këtë po e shfrytëzon Beogradi që të nxjerrë benefite në kohën kur ende nuk është përcaktuar statusi përfundimtar i këtij kombinati.
Zyrtari serb i cili më së shumti është duke ngritur pluhur lidhur me këtë çështje, është Ministri serb pa Portofol, i ngarkuar për çështje të Kosovës, Aleksandar Vulin.
Në një deklaratë të tij, Vulin kërkoi inkuadrimin e shtetit serb në privatizimin e këtij gjiganti metalurgjik kosovar.
Ndërkohë, menaxhmenti i Trepcës shpreh shqetësim se zvarritja e këtij procesi, mundëson politizimin e tij.
Drejtori Menaxhues i kompleksit Trepça, Halil Qela tha për lajmi.net se institucionet e Kosovës duhet të jenë më të shpejtë në përcaktimin e statusit të këtij kombinati.
Kmpleksi “Trepça”“Faji është edhe i institucioneve tona që po presin që të bëhen deklarata nga Beogradi dhe nuk miratojnë ligje për të ecur përpara”.
“Pritet që Qeveria ta hartojë një ligj për Trepçën, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që përfundimisht ky kombinat të largohet nga kalkulimet që i bënë soji i Vulinit, të cilët përmes deklaratave të tyre janë duke e mbajtur peng këtë proces”.
Qela i quajti deklaratat e Vulinit si arsyetim të shtetit serb, kundrejt kreditorëve të mëhershëm të Trepçës, të cilët, sipas tij, janë mashtruar gjatë kohës së Milosevic’it.
Së fundmi, Vulin u ka bërë thirrje kreditorëve të Trepçës që deri më 31 dhjetor të lajmërohen te shteti serb në mënyrë që “t’i mbrojnë të drejtat e tyre”.
Por pwr Halil Qelën, Serbia ka një arsye pse po e bën këtë.
“Aleksandar Vulin me deklaratat e tij po mundohet që të arsyetohet te kreditorët që i kanë gënjyer gjatë viteve të nëntëdhjeta kur e kanë shitur Trepçën, se kinse po brengosen për këtë kombinat. Serbia i ka mashtruar kreditorët dhe me paratë e tyre është bërë lufta në ish-Jugosllavi.
“Vulin dhe zyrtarët tjerë serbë duhet t’u kërkojnë falje kreditorëve të viteve të nëntëdhjeta dhe t’u thonë se i kanë mashtruar, pasi që me paratë e tyre nuk kanë investuar në Trepçë, por i kanë bërë luftërat”.
Qela bëri të ditur se pasuritë e këtij kombinati janë kompetencë e institucioneve të Kosovës, pasi që kjo gjë rregullohet edhe me Kushtetutën e vendit.
“Ende nuk është e qartë se si do të jetë statusi përfundimtar i Trepçës, a do të jetë privatizim i plotë, partneritet publiko privat, ndërmarrje publike. Pra kjo është një çështje që duhet të diskutohet brenda institucioneve të vendit tonë”.
“Nuk ka mundësi që Serbia të përzihet në menaxhimin e Trepçës, pasi që pasuria nëntokësore është pasuri nacionale e Kosovës që përcaktohet me Kushtetutë”.
Ai porositi institucionet vendore që të zgjidhin sa më shpejtë këtë çështja, para se ajo të politizohet dhe të hyjë në procesin e dialogut në Bruksel.
“Nëse vonohet procesi i përcaktimit të statusit të këtij kombinati, mund që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave në Bruksel. Por, logjikisht mendoj se kjo nuk do të duhej të hyjë në agjendën e këtyre bisedimeve”.
Drejtori Menaxhues i Trepçës, nuk beson se Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës, do të mund të ketë kompetenca që i japin mundësi të përzihet në menaxhimit e këtij kombinati. Ai thotë se deri më tani asnjë kryetar i komunës nuk ka pasur përgjegjësi në këto çështje.
Komunat e Kosovës deri më tani nuk kanë pasur kompetenca në pasuritë e Kombinatit të Trepçës. Disa prej tyre gjenden në Mitrovicë, Vushtrri, Artanë dhe komuna tjera, por asnjëra nga këto komuna nuk ka pasur kompetenca mbi këto pasuri.
“Nuk e di se si do të jenë kompetencat e Asociacionit të Komunave Serbe, por nuk do të duhej që ato të kenë kompetenca që të përzihen në çështjet e Trepçës” , tha Halil Qela për lajmi.net.