Kujdes me Raundin e Dytë
Ambasadorja Amerikane, Tracey Jacobson, bën thirrje për zgjedhje të ndershme me 1 dhjetor. Nëse procesi do të ketë defekte ose mashtrime, atëherë ajo thotë se përparimi i bërë në rrethin e parë të zgjedhjeve do të bëhet i pakuptimtë.

Lajme
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Jacobson, ka bërë thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme më 1 dhjetori, kur do të zhillohet balotazhi në 25 komuna.
Ajo ka apeluar për ruajtjen e përmirësimeve të arritura në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ambasadorja Jacobson i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi që ka zhvilluar me Përfaqësuesit e Rrjetit Europian të Organizatava për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO), me të cilët ka diskutuar lidhur me përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit në Kosovë.
Ajo ka thënë se pret që përmirësimet e arritura në rrethin e parë të zgjedhjeve, të ruhen.
“Më vjen mirë që Ambasada e SHBA’ve po i bashkohet organizatave tjera ndërkombëtare si ENEMO’ja në vendosjen e vëzhguesve në vendvotime nëpër tërë Kosovën me 1 dhjetor”.
“Ne jemi duke shikuar nga afër dhe presim që përmirësimet e arritura në rrethin e parë të zgjedhjeve, të ruhen. Nëse me 1 dhjetor procesi do të ketë defekte ose mashtrime, përparimi i bërë në rrethin e parë të zgjedhjeve të nëntorit do të bëhet i pakuptimtë”.
“Po ashtu, ne nxisim gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë tek autoritetet e Kosovës çfarëdo problemi që ata shohin”.
“Në zgjedhjet e nëntorit qytetarët bënë më shumë ankesa se kurdoherë më parë dhe ne presim nga Policia e Kosovës dhe prokurorët të vazhdojnë përkushtimin e tyre për hetimin dhe ndjekjen e mashtrimeve të paraqitura”.
“Qytetarët e Kosovës janë ata që janë më së miri të pozicionuar për të raportuar çfarëdo problemi apo parregullsie që ata e vërejnë – dhe ne inkurajojmë të gjithë qytetarët: nëse shihni diçka, thuani diçka”.
Ndryshe, përmes USAID’it, Qeveria e SHBA’ve përkrah ENEMO’n me 125,000$ për përpjekjet e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe këto mjete shkojnë përmes Institutit Demokratik Kombëtar.
USAID ka ndihmuar misionet e kaluara vëzhguese të ENEMO’s në Kosovë, përfshirë në vitet 2009 dhe 2010.
ENEMO punon në Kosovë në bazë të një ftese nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga