Kufijtë nuk ndryshojnë
Kryeministri Hashim Thaçi thotë se do të vijë edhe koha e njohjes së Kosovës nga Serbia, por tash për tash është e rëndësishme të punohet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme
Serbia ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës, mirëpo përpjekjet e saj kanë qenë të pasuksesshme.
Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin boshnjak BHT1.
Ai ka thënë se tani ekziston Marrëveshja e 19 prillit me Serbinë dhe se Kosova është sovrane dhe e pavarur, me integritet territorial të pranuar ndërkombëtarisht.
“Askush nuk mund të aspirojë për të ndryshuar kufijtë e rajonit”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.
Ai është pyetur nëse Serbia do të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Tash për tash, është e rëndësishme të punohet në normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa do t’i vijë koha edhe njohjes.”
“Tani duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen sesa për të penguar njëri-tjetrin”.
Kryeministri Thaçi, po ashtu, ka deklaruar se bisedimet në Bruksel i kanë ndihmuar shumë edhe Kosovës, edhe Serbisë, si dhe paqes dhe stabilitetit në rajon.