Kuçi: Marrëveshja integron Veriun, në sistemin e drejtësisë së Kosovës

Marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel, ka  për qëllim integrimin e pjesës veriore në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ka thënë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Lajme

10/02/2015 12:25

Ministri i Drejtësisë në Kosovë Hajredin Kuçi, duke folur për marrëveshjen e arritur mbrëmë në Bruksel, që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, ka thënë se kjo marrëveshje ka për qëllim integrimin e pjesës veriore në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Kuçi ashtu sikur dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Mustafa e Vuçiq, nuk ka dhënë shumë detaje rreth kësaj marrëveshje.

“Qëllimi i marrëveshjes është integrimi i asaj pjese të territorit tonë në sistemin tonë të drejtësisë, në zbatimin e ligjeve të Kosovës dhe në respektimin e autoritetit të institucioneve qendrore në çdo pjesë të vendit tonë”, ka thënë shkurt Kuçi përmes një mesazhi telefonik për KosovaPress.

 Ndryshe mbrëmë në një komunikatë për media të Bashkimit Evropian, u tha se rreth orës 2:00 të mëngjesit të së martës dy kryeministrat kanë finalizuar marrëveshjen për drejtësinë dhe gjyqësorin në Kosovë dhe në këtë mënyrë kanë mbyllur kapitullin kritik të implementimit të marrëveshjes së Brukselit që do ta përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e njerëzve në terren.