Kuçi: Gjyqtarët dhe prokurorët që s’janë të aftë, të lënë punën

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka një porosi për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk mund ta kryejnë punën si duhet, e ajo është: shkoni në shtëpi.

Lajme

19/01/2015 22:24

Në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi”, Kuçi ka folur për çështje të ndryshme.

I pyetur në lidhje me performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai thotë se kushdo që nuk mund ta mbrojë veten, mund të shkojë në shtëpi.

Këtë deklaratë, Kuçi e bëri pas pyetjes se çka ndodh me ata prokurorë e gjyqtarë që po bien pre e ndikimeve politike.

“Nëse kemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mund ta mbrojnë veten, le të shkojnë në shpi”, thotë ai.

Kuçi premton se do të rritet pavarësia e gjyqësorit dhe e llogaridhënies.

Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Kuçi thotë se kjo ka të bëjë më ruajtjen e imazhit të vendit.

“Prokurori Williamson më ka thënë se ai po e bën këtë në mënyrë që Rusia të mos e ngre çështjen në Këshillin e Sigurimit. Ka të bëjë me imazhin e vendit, ruajtjen e imazhit të UÇK-së, ruajtjen e imazhit të vendit maksimalisht”, thotë ai për “Betimi për Drejtësi”, që transmetohet të mërkurën.