Kuçi e pret fundin e Dialogut me Traktat të Paqes

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Gjykata Themelore në Mitrovicën Veriore do të jetë e të gjithëve, e jo vetëm e serbëve. Pohon se marrëveshja e drejtësisë do të nënshkruhet pas dy javësh. Në fund të Dialogut të Brukselit, pret Traktat të Paqes.

Lajme

12/02/2014 19:50

Zëvendëskryeministri Hajderin Kuçi thotë se sot në Bruksel ka pasur përafrime të qëndrimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket çështjes së drejtësisë.

Në një intervistë dhënë për RTK, ai ka shprehur besimin se brenda dy javësh do të nënshkruhet marrëveshja për drejtësi, e cila në bazë të saj ka edhe krijimin e Gjykatës Themelore në Veri.

“Sot mund të them se kemi përafrim të qëndrimeve dhe pritet që të finalizohet në ditët në vijim”.

“Në një afat jo më të largët se prej dy javësh do të kemi edhe nënshkrimin e marrëveshjes”.

“Presim që të kemi disa konsulta të grupeve punuese. Mendojmë që brenda dy javësh do të kemi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe do të fillojmë menjëherë me implementimin.”

“Do të nënshkruhet marrëveshja për implementimin e pjesës së drejtësisë. Natyrisht kemi qenë të kujdesshëm, të dyja palët, që në radhë të parë të respektojmë Marrëveshjen e 19 Prillit. Po ashtu, është pranuar parimi i respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”.

“Kjo marrëveshje e re, që pritet të finalizohet, nuk do të ketë ndryshime ligjore” .

“Po ashtu, jemi pajtuar që të ketë një Gjykatë Themelore në territorin e juridiksionit të Mitrovicës, çfarë ka qenë edhe më herët”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në vijim të bisedës së tij me RTK, ka deklaruar se Gjykata Themelore do të jetë për 7 komuna, e jo për 5 sa kishte kërkuar Serbia.

Ai ka pohuar se kjo Gjykatë do të ketë qasje integruese dhe nuk do të jetë vetëm e serbëve.

“Do të kemi reflektim të mundësisë së pjesëmarrjes së qytetarëve, të qasjes së qytetarëve në drejtësi, si dhe përfaqësimit adekuat në kuptimin etnik të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Do të jetë një Gjykatë Themelore. Pra, nuk do të ketë dy Gjykata Themelore. Kjo do të ketë në juridiksion edhe Komunën e Mitrovicës së Jugut, edhe Veriut, Ferizajn dhe Skenderajn”.

“Do të ketë përbërje të ndryshme etnike, e cila nënkupton që do të ketë departamente të serbëve dhe të shqiptarëve, por departamentet do të jenë të përbashkëta dhe organizimi do të jetë i integruar”.

“Nuk do të ketë asnjë karakter të veçantë ndryshe të sistemit të juridik”.

Me tutje, Kuçi ka thënë se drejtësia nuk është e ndarë në baza etnike, andaj kjo Gjykatë do të ketë përbërje të përzier etnike dhe do të ketë punë të përbashkët.

“Lëndët do t’i gjykojnë gjyqtarët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo serbë”.

“Ndarje etnike në sistemin e drejtësisë nuk ka. Përkundrazi, është arritur marrëveshje që të ketë qasje të integruar dhe në këtë drejtim do të kemi punë të përbashkët dhe integrim të plotë”.

“Natyrisht që përbërja etnike e gjyqtarëve do të reflektojë përbërjen etnike të popullsisë, por gjithmonë do të kihet parasysh një sistem i drejtësisë i përbashkët dhe jo i ndarë”.

“Ajo çka është me rëndësi është se do të ketë shqiptarë edhe serbë. Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës nuk do të jetë vetëm e serbëve”.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk beson se zgjedhjet në Serbi, por edhe ato në Kosovë, do të ndikojnë në dinamikën e dialogut. Ai, po ashtu, mendon se dialogu do të përmbyllet me një Traktat të Paqes mes dy vendeve, si dhe me integrimin e tyre në Unionin Europian.