Kuçi e Muçaj “shpëtuan” Hoxhën nga shkarkimi

Mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e cila në rend dite ka pas edhe ‘pikën e nxehtë’, propozimin për shkarkimin e ushtruesit të detyrës se kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, është shtyrë në mungesë kuorumit.

Lajme

13/03/2015 15:50

Kjo mbledhje nisi me tensione të mëdha, ku në njërën nga pikat e rendit të ditës ka qenë diskutimi i mandatit për dy anëtarët e KPK-së, Sevdije Morinen dhe Jetish Malokun. Për diskutimin e kësaj pike, Hoxha kërkoi nga dy anëtarët që ta lëshojnë takimin pasi, sipas tij, prezenca e tyre në këtë diskutim paraqiste konflikt interesi.

Morina e Maloku refuzuan kërkesën e Hoxhës, i cili më pastaj vendosi që ta lëshojë vetë mbledhjen. Pas kësaj, anëtarët e KPK-së diskutuan gjatë se a mund të vazhdohet kjo mbledhje apo ajo, ku më pas morën një pauzë e cila do të shërbente për të marrë një vendim.

Pas pauzës të paralajmëruar për gjysmë ore, e cila zgjati më shumë se një orë, nuk u arrit një marrëveshje, ku anëtari i KPK-së, Florent Muçaj lëshoi mbledhjen, duke lënë pa kuorum KPK-në, dhe duke shpëtuar Hoxhën nga shkarkimi eventual.

Pas kësaj, anëtarët e KPK-së, i bënë një kërkesë ministrit Hajredin Kuçi, i cili është edhe anëtarë i KPK-së, që të jetë në mbledhje për t’i bërë kuorumin në mënyrë që mbledhja të vazhdojë. Por edhe ky refuzoi që të merr pjesë në mbledhje, duk pamundësuar që të diskutohen pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe propozimin për shkarkimin e mundshëm të Hoxhës.

Mbledhja e ardhshme u tha se do të mbahet të martën në ora 14:00. (lajmi.net).