Kualiteti i punimeve në mot të ftohtë

Lëvizja në qendër të Prishtinës ka ditë se është vështirësuar dukshëm. Autoritet komunale kanë zgjedhur vjeshtën dhe dimrin që t’i “përmbysin” rrugët kryesore në kryeqytet.

Lajme

24/10/2015 09:18

Punimet që janë duke u zhvilluar në rrugët “Garibaldi”, “Luan Haradinaj” në qendër dhe mbi platenë e “Kurrizit” në “Dardani”, kanë vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve, pasi që, të reshurat e shiut e kanë nxjerrë mbi sipërfaqe baltën, dhe në mungesë të rrugëve alternative duhet të ecet mbi të.

Gjendja më e vështirësuar është prej nënkalimit në lagjen “Pejton”, deri lart te Katedralja.

Derisa Komuna është optimiste që punët do të kryhen në këtë vit, brenda marrëveshjes së paraparë me kompanitë, ekspertët e urbanizmit kanë tërhequr vërejtjen se nuk mund të këtë cilësi të mirë nëse materiali ndërtimor i ekspozohet motit të keq.

Arkitekti Valdet Osmani thotë se plani adekuat po duket jo adekuat, pasi në vendpunishte nuk po shihen punëtorët.

Ai ka thënë se punimet dhe materiali duhet të mbrohen nga moti i ligë dhe dëmtimet.

“Shiu nuk është problem dhe mund të punohet edhe në shi, por duhet të sigurohet nga mbikëqyrësi se a po kryhen punimet sipas standardeve dhe se a mbrohen punimet nga dëmtimi, respektivisht a është vendpunishtja me standardet dhe kërkesat ligjore. Pra, punimet dhe materiali duhet të mbrohen nga moti i ligë dhe dëmtimet. Plani dinamik po duket joadekuat, pasi nuk ka punëtorë sa duhet në vendpunishte”, ka thënë Osmani. /Zeri/