KS shqyrton raportin për Kosovën

Raporti i Ban Ki-Moon do të shqyrtohet të martën në New York, në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të marrë pjesë edhe Kryeministri Hashim Thaçi.

Lajme

17/11/2013 19:02

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të martën raportin e rregullt tremujor të radhës të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon mbi Kosovën, raport në të cilin situatën e përgjithshme të sigurisë ai e përshkruan si përgjithësisht të qetë, ndërkohë që ka vlerësuar përparimet në përgatitjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm do të shqyrtohet pasnesër pasdite në New York, në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit në të cilën do të marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sekretari Ban Ki-Moon sërish ka përgëzuar Prishtinën dhe Beogradin për përpjekjet e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE si dhe ka falënderuar për rolin e saj Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton.

Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit besnikërisht të marrëveshjeve, pa rihapjen e dispozitave të tyre.

“Progresi në terren si dhe në dialogu politik mbeten qenësore për aspiratat e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën që do të mbajë në New York pritet të njoftojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit mbi zhvillimet tremujore, me një përqendrim në zgjedhjet lokale të vlerësuara të drejta dhe sipas standardeve, përjashtuar veriun të përfshirë me incidente, si dhe do të ritheksojë premtimin e gjithëpërfshirjes së të zgjedhurve në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

 

(Kosovapress)