KS i OKB me 5 anëtarë të rinj

Në raundin e parë të votimit të 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, Lituania mori 187 vota, Nigeria dhe Kili nga 186, Çadi 184 ndërsa Arabia Saudite 176 vota.

Bota

17/10/2013 21:31

Arabia Saudite dhe Çadi janë zgjedhur me lehtësi si anëtarë të rinj të Këshillit të Sigurimit të OKB’së të enjten, përkundër kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut se të drejtat e tyre janë duke u shkelur rëndë. Nigeria, Lituania dhe Kili gjithashtu kanë marrë nga një ulëse në këtë këshill.

Të pesë kandidatët e mbështetur nga grupet rajonale nuk u përballën me ndonjë kundërshtim sepse nuk pati garë për herë të parë në shumë vjet.

Në raundin e parë të votimit të 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, Lituania mori më së shumti vota (187) ndërsa Nigeria dhe Kili morën nga një vitë më pak. Çadi mori 184 vota ndërsa Arabia Saudite 176. Për ta marrë ulësen në Këshillin e Sigurimit, një vend duhet të marrë dy të tretat e votave.

Ulëset e Këshillit të Sigurimit të OKB’së janë shumë të lakmuara sepse ato u japin vendeve një zë të rëndësishëm në çështjet që kanë të bëjnë me paqen ndërkombëtare dhe sigurinë në vendet si Siria, Irani, Korea e Veriut si dhe operacioneve të gjera paqeruajtëse të OKB’së.

Të 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit përfshijnë edhe pesë anëtarët e përhershëm- SHBA’të, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca- dhe 10 vende jo të përhershme të zgjedhura me mandat dyvjeçar.

Pesë vendet e zgjedhura sot do t’i marrin ulëset e veta që nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të shërbejnë deri në fund të vitit 2015. Ato do t’i zëvendësojnë Azerbajxhanin, Guatemalën, Marokun, Pakistanin dhe Togon.