“Kryqëzohet” Shkupi

Kanë nisur ndërtimet e një Kryqi gjigant në njërën nga lagjet në qendër të Shkupit. Kryqi i cili do të vendoset në lagjen “Aerodrom”, do të jetë 56 metra i gjatë dhe 34 metra i gjerë.

Lajme

20/12/2013 12:49

Shkupi do të bëhet edhe me një kryq gjigant, por tash në qendër të qytetit.

Kryqi, i cili do të vendoset në lagjen “Aerodrom” të Shkupit, do të jetë 56 metra i gjatë dhe 34 metra i gjerë. Ai do të jetë vetëm disa metra më i vogël se kryqi ekzistues në lagjen “Vodno”, ka njoftuar Alsat M.

Ky kryq do të financohet nga Kongresi Botëror Maqedonas.

Kryetari i Kongresit, Todor Petrov, tha se Maqedonia është baza e krishterimit në Evropë, ndërsa Komuna Aerodrom, sipas tij, është Komuna më krishtere në vend.

“Maqedonia është baza e krishterimit në Evropë. Apostulli i shenjtë Pavle, kishat e para në Evropë i ka ndërtuar në qytetet maqedonase Ber, Selanik dhe Filipi. Për këtë shkak, kryqi nuk është konspiracion apo provokim. Ai është pjesë e pandarë e kulturës së Maqedonisë. Kryqi është legjitimim i Maqedonisë para botës dhe Evropës”.

Vendimin për ndërtimin e kryqit e ka miratuar me shumicë votash Këshilli Komunal i Aerodromit.

Një vendim i tillë vjen vetëm 1 vit pasi Komuna Aerodrom nuk kishte dhënë leje për ndërtimin e një xhamie në fshatin Lisiçe në Aerodrom, ku jetojnë banorë të përkatësisë fetare islame.

Vitin e kaluar kryetari i Komunës së Aerodromit Ivica Konevski kishte deklaruar se nuk do të lejojë ndërtimin e xhamisë në Komunën që ai drejton.

Sot Konevski, bashkë me Kryetarin e Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, si dhe Deputetë e Kryetarë Komunash nga radhët e VMRO DPMNE, zbrazën lopatat në gurthemelin e kryqit.

Premtimi i Kongresit Botëror Maqedonas është se pasi të përfundojnë punimet me kryqin, ai do t’i falet Komunës për mirëmbajtje dhe shfrytëzim.

Sipas parashikimeve, kryqi do të shihet pothuajse në të gjithë territorin e Shkupit, ndërsa nuk zbardhet kostoja për ndërtimin e tij.