Kryeziu: E dinim se ata janë provokativ – Pjesa e dytë ishte më e mirë

Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka dhënë mendimin e tij rreth paraqitjes së Kosovës ndaj Bullgarisë.

Sport

25/03/2019 23:07

Kapiteni i Kosovës ka vlerësuar lartë paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë, por pati kritika të mëdha për pjesën e parë.

“Ka qenë e vështirë për neve, kemi pasur deja vu sikur kundër Ishujve Faroe, për shkak të aspektit defansiv” ka thënë Kryeziu, shkruan lajmi.net.

“Në pjesën e parë nuk gjenim hapësira, pjesa e dytë ishte më e mirë. Jemi të dëshpëruar me vetëm 1 pikë” ka shtuar kapiteni.

“Për bullgarët, e kemi ditur se janë provokativ, në çdo duel provokonin. Nuk mund ta zgjeronim lojën, të luanim shpejtë. Nuk ka qenë paraqitja ashtu siç luajmë ne” ishin fjalët e mesfushorit të Zurich.

Kryeziu ishte kthyer pas një lëndimi, i cili ia pamundësoi paraqitjen ndaj Danimarkës, megjithatë pati performancë të mirë. /Lajmi.net/