Kryetari i Shtërpcës shoqëron Vuçiqin në Brezovicë

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili njëherësh është edhe koordinator i strukturave paralele serbe në Kosovë, pritet që të shoqërojë në këtë komunë, kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq.

Lajme

11/01/2015 21:15

Ky i fundit gjatë vizitës që do t’i bëjë nesër Kosovës, është paraparë që të vizitojë edhe komunën e Shtërpcës ku më pas në Brezovicë do të përurojë përfundimin e punimeve në qendrën e skive. 

Nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzulllahu ka thënë për Tribuna se kjo komunë nuk do t’i organizojë pritje zyrtare kryeministrit serb Vuçiq. 

“Kryetari aktual i Shtërpcës mund t’i organizojë pritje kryeministrit serb, mirëpo ai nuk mund ti organizojë pritje në emër të komunës, por vetëm në cilësinë e koordinatorit të strukturave paralele që është emëruar nga qeveria e Serbisë”, ka thënë Fejzullahu. 

Sipas tij, në komunë nuk është organizuar asgjë për një pritje të tillë dhe se askush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. 

“Ne vetëm prej mediave jemi informuar për vizitën e kryeministrit serb në Shtërpcë dhe zyrtarisht nuk jemi të informuar për asgjë, pasi që komuna nuk dot ë organizojë asgjë. Askush nuk mund të organizojë në emër të Komunës për një vizitë të tillë, pasi që Komuna funksionon në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Fejzullahu. 

Ndryshe, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq së bashku me disa ministra të qeverisë së tij do të qëndrojë nesër në Kosovë. 

Mediat serbe këtë vizitë e vizitën e Vuçiqit në Kosovë e kanë cilësuar si historike. 

Kryeministri serb më 14 janar do të qëndrojë në një vend afër Gjilanit ku jetojnë rreth 40 mijë njerëz, ku për vite të tëra atë askush nga zyrtarët e lartë nuk i kishte vizituar, shkruan Gazeta Tribuna.