Kryetari i Preshevës: Rama të përgatitet emocionalisht
Kryeministri Edi Rama pritet që të hënën të qëndroj për vizitë në Beograd dhe të martën të vizitojë Komunën e Preshevës. Për shqiptarët atje, kjo vizitë është historike, dhe sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, kryeministri Rama duhet të përgatitet emocionalisht, sepse do të përballet me një pritje madhështore.

Lajme
E kjo vizitë e kryeministrit Rama edhe për kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa është vizitë historike.
Ai në një bisedë për lajmi.net tha se është hera e parë që një kryeministër shqiptar viziton këto troje të banuara historikisht me shqiptarë autoktonë.
“Ardhja e kryeministrit shqiptar para se gjithash është datë historike për shqiptarët anë e kënd globit sepse Lugina e Preshevës është e banuar historikisht me shqiptarë dhe për tërë këtë kohë, qe 102 vjet ekzistencë të shtetit shqiptar, asnjëherë nuk ka ndodhur që të vizitojë këto troje”.
“Dhe pikërisht ardhja e z.Rama për herë, në cilësinë e kryeministrit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe në këtë drejtim mendoj se rëndësia i takon më përpara historisë”.
“Përveç kësaj rëndësie historike patjetër se është edhe për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit jo mes shteteve sepse po hezitohet nga Beogradi zyrtar. Por gjithsesi urat e bashkëpunimit do të ndërtohen ndërmjet afaristëve shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe afaristëve shqiptarë të Shqipërisë”.
Mustafa thotë se më datën 11 të këtij muaji, Presheva do të jetë e mbushur edhe me qytetarë nga komunat tjera të banuara me shqiptarë, si ajo e Bujanocit dhe e Medvegjës, të cilët do të mirëpresin kryeministrin Rama.
“Po patjetër se jemi duke u përgatitur për pritjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, për vizitën e tij në Preshevë që planifikuar për ditën e martë. Në këtë drejtim, të gjitha autoritetet e pushtetit vendor në Preshevë dhe Bujanoc janë në përgatitje teknike për vizitën e Ramës sepse ajo sipas agjendës protokollare të kryeministrit shqiptar, është se ai do të vizitojë vetëm Preshevën dhe jo Bujanocin”.
“Për këtë arsye janë të interesuar edhe shqiptarët e Bujanocit, pikërisht institucionet që të jenë pjesë e pritjes e kryeministrit Rama”.
Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa konfirmon për lajmi.net se Kuvendi Komunal i Preshevës, do të shpallë kryeministrin Edi Rama ‘Qytetar Nderi’ të kësaj komune.
Ai thotë se një gjë titull i tillë është meritor, pasi siç thotë ai, Shqipëria ka kontribuuar shumë për mirëqenien dhe zhvillimin e komunave të Luginës së Preshevës.
“Ardhja e kryeministrit është paraparë që të jetë nga ora 11:00 dhe një orë përpara ksaj do të mblidhet Kuvendi Komunal i Preshevës ku në bazë të ligjit dhe Rregullores së Punës, do të merret vendimi për shpalljen Qytetar Nderi të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Është hera e parë që kryeministrit viziton Komunën e Preshevës dhe kjo mirënjohje do t’i jepet për shkak të kontributit që ka dhënë Shqipëria për zhvillimin në Komunën e Preshevës, që prej vitit 1990 e këtej”.
“Konsideroj se një kujdes të veçantë për shqiptarët e Luginës, Shqipëria e ka pasur veçmas në vitet 1991-1992 e këtej, gjithmonë duke kërkuar të drejtat për shqiptarët këtu”.
Më tej Ragmi Mustafa tregon se Kryeministri Edi Rama do të takohet në Pallatin e Kulturës me një turmë të madhe të qytetarëve, të cilët do ta mirëpresin atë. Ai tha për lajmi.net se pret që kryeministri Rama të jetë i përgatitur emocionalisht për pritjen që shqiptarët do t’i bëjnë në Preshevë.