Kryetari i Listës Serbe: Votimi në UNESCO s’duhet të kuptohet si fitore e as si humbje

Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq ka deklaruar sot se rezultati i votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO ka dëshmuar për mbizotërimin e arsyes dhe se askush nuk duhet ta kuptojë këtë si fitore apo humbje.

Lajme

09/11/2015 19:03

“E dimë se çfarë ka ndodhur në 16 vitet e fundit me kishat dhe manastiret tonë dhe mendoj se kjo është e njohur në Evropë dhe botë. Të kujtojmë se na janë rrënuar kishat dhe manastiret tona deri në themel, disa edhe janë djegur”, ka thënë Simiq për Tanjug, transmeton Republika.info.

Sipas tij, këtë votim as bashkësia serbe e as ajo shqiptare nuk duhet ta shohin as si fitore e as si humbje dhe se “priten shumë sfida dhe se në të ardhmen duhet të jemi të gatshëm që të parandalojmë skenarë të ngjashëm”.

Ai e ka falënderuar politikën që po e udhëheqë kryeministri Aleksandar Vuçiq për siç ka thënë “përpjekjet në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë”.