Kryetar dhe partner i Qeverisë

Ministri Enver Hoxhaj thotë se Malisheva, për dallim nga Suhareka, ka arritur rezultate në qeverisje falë partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

Lajme

09/10/2013 09:28

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar gjatë një tubimi elektoral në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, se këtij qyteti i duhet një Kryetar që është partner i Qeverisë së Kosovës.

Hoxhaj u ka thënë banorëve të këtij fshati se partneri më i mirë i qytetarëve të Suharekës është kandidati i PDK’së, Ramë Vataj.

“Qytetarët e Therandës duhet ta zgjedhin një Kryetar që është partner i Qeverisë, në mënyrë që të nisin për t’i zgjidhur problemet e shumta që kanë”.

Në fjalimin e tij, Hoxhaj e ka marrë shembullin e Malishevës, e cila, sipas tij, për dallim nga Theranda, ka arritur rezultate në qeverisje falë partneritetit me Qeverinë e Kosovës.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Therandës,  Ramë Vataj, pasi ka shpalosur programin e tij, ka kritikuar pushtetin aktual të këtij qytetit.

“Vataj ka përmendur dështimet e Qeverisë që po ikën, sidomos me punimet e këqija që ajo i ka bërë në disa projekte të ujësjellësit, të cilat janë dëmtuar ende pa hyrë në funksion”, njofton Zyra për Media e PDK’së në këtë qytet.

Vataj ka premtuar se në bashkëpunim me kompaninë ujore ‘Hidroregjioni jugor’ në Prizren, do të bëjë zgjidhje për ujë të pijshëm për 15 fshatra, me kapacitet prej 15 litrash ujë në sekondë.