Kryesia e re e LDK-së, këtë javë
LDK-ja brenda kësaj jave pritet të bëhet me kryesi të re. Kështu ka thënë për “Epokën e re” Haki Rugova. Ai ka treguar se nuk e di përbërjen e kryesisë së re, meqë nuk është folur për emra por, sipas tij, do të ketë ndryshime, pasi pjesë e kryesisë do të jenë edhe emra të rinj.

Lajme
Gazeta ka marrë vesh nga burime brenda kësaj partie, se nënkryetarë të LDK-së pritet të jenë Agim Veliu, Lutfi Haziri dhe Haki Rugova, të cilët i kanë qëndruar afër Isa Mustafës gjatë kohës së bllokut, por që pastaj ishin edhe përkrahës të koalicionit qeverisës me PDK-në.
“Natyrisht se kemi biseduar për këtë çështje dhe pres që kjo të kryhet shumë shpejtë. Prandaj besoj se gjatë kësaj jave do të zgjidhet përbërja e kryesisë së re e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse kjo çështje më shumë varet nga lideri i partisë Isa Mustafa”, ka deklaruar Rugova për “Epokën e re”.
Sipas tij nuk ka pasur vonesa dhe pakënaqësi lidhur me procesin e zgjedhjes së kësaj kryesie.
“jo, nuk ka kurrfarë pakënaqësish e as nuk ka pasur vonesa. Madje askush nuk është marrë me këtë punë. Nuk është një temë me të cilën LDK-ja merret shumë se kush do të jetë pjesë e kryesisë së partisë”, ka theksuar Rugova.