Kryesia e LDK-së kërkon postin e kryeministrit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur një mbledhje të dielën, e pas saj ka lëshuar një komunikatë për shtyp, përmes të cilës ka rikonfirmuar qëndrimin e shfaqur ditëve të fundit, se atyre u takon posti i kryeministrit. 

Lajme

16/11/2014 17:05

LDK kërkon që si partia më e madhe e Bllokut LAN, të jetë prijëse e koalicionit.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në mbledhjen e mbajtur sot, ka konfirmuar rolin dhe anagzhimin e plotë të LDK-së si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare”, thuhet në njoftimin e LDK-së, dërguar mediave pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie. 

“LDK-ja konsideron se koalicioni i shumicës parlamentare ka përgjegjësinë që të punojë intensivisht për themelimin e institucioneve të reja të vendit:, thuhet në këtë komunikatë.

Aty thuhet se LDK-ja edhe një herë shpreh domosdonë që në Kosovë të ndërrohet mënyra e qeverisjes dhe së vendit i duhen institucione me vizion evropian, një qeveri demokratike që do të jetë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm.