Kryesia e Kuvendit shkresë zyrtare Hotit për raportim para nisjes në SHBA
Sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar mbledhjen ku janë diskutuar një varg pikash të rendit të ditës.
Lajme
Në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohen pesë projektligje sipas vendimit që u morr sot në kryesinë e Kuvendit, shkruan lajmi.net.
Por gjithashtu, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që nëpërmjet një shkrese zyrtare t’i drejtohet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti të raportojë para deputetëve përpara nisjes në SHBA për takimin e 27 qershorit.
Projektligjet që pritet të shqyrtohen në seancën e radhës janë: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Ky është njoftimi i plotë i Kuvendit të Kosovës:
Të martën, më 23 qershor 2020, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdojë punimet e seancës plenare të datës 11 qershor, me pikat e pambaruara, ndërsa në po të njëjtën ditë, në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të re.
Ky ishte vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentarja dr. Vjosa Osmani.
Në vazhdimin e seancës, pritet të shqyrtohen pesë projektligje: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Në seancën e re, ndërkaq, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të formojë Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit shqiptar, si dhe atë për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe propozimi i GP Nisma Socialdemokrate për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Kryesia la të hapur mundësinë që nëse plotësohen kushtet formale-juridike, në këtë seancë do të futet si pikë e fundit e rendit të ditës edhe interpelanca me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti.
Po ashtu, Kryesia njëzëri vendosi që kryeministrit Hoti t’i drejtohet më një shkresë, me kërkesën për raportim në Kuvend para nisjes për në Uashington, në takimin e paralajmëruar për datën 27 qershor 2020, midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia i dha mbështetje rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me rishikimin e Buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, si dhe propozimit të Kryetares së Kuvendit për vendosjen e pllakës në Përkujtimore në një ulëse, e cila përherë do të jetë e zbrazët në mes të sallës së Kuvendit dhe i dedikohet 1133 fëmijëve të vrarë në luftë.
Kryesia po ashtu vendosi që Programi legjislativ i Qeverisë së Kosovës për vitin 2020, t’u shpërndahet deputetëve dhe komisioneve parlamentare. /Lajmi.net/