Kryeparlamentari Veseli në Amerikën Latine, për diplomaci parlamentare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli do të niset për një vizitë disa ditore në Panama. Ai do të jetë i ftuar i nderit në seancën plenare inauguruese të parlamentit Evropian-Amerikanolatin (EUROLAT) më 17 mars.

Lajme

15/03/2015 11:33

Asambleja parlamentare e EUROLAT është krijuar në vitin 2006, për të forcuar

lidhjet mes Evropës dhe Amerikës Latine dhe përbëhet nga 150 deputetë. Nga këta gjysma, pra 75 janë deputetë nga Parlamenti Evropian dhe 75 të tjerë vijnë nga deputetët e parlamenteve të ndryshme të vendeve  të Amerikës Latine.

Kryekuvendari Veseli do të vizitojë gjithashtu edhe parlamentin Amerikanolatin (PARLATINO), ku do të pritet nga kryetari i tij, Elias Castillo. PARLATINO, me seli në qytetin e Panamasë, përbëhet nga 23 parlamente anëtare, ku secili dërgon nga 12 deputetë si përfaqësues në asamblenë parlamentare të këtij institucioni.

Gjatë vizitës së Veselit është parashikuar një agjendë e ngjeshur me takime private me deputetë të vendeve të ndryshme të kontinentit amerikan dhe të Bashkimit Evropian, duke synuar në mënyrë të veçantë parlamentarët e vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Po ashtu, gjatë qëndrimit të tij në Panama, Veseli pritet të zhvillojë takime edhe me autoritetet lokale.