Kryeministrja e Zelandës së Re bën thirrje për luftë globale kundër racizmit

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka bërë thirrje për luftë globale kundër ideologjisë raciste të ekstremit të djathtë, pas sulmit të përgjakshëm terrorist që ka ndodhur në dy xhami në Kristçërç.

Bota

20/03/2019 12:53

Ajo ka thënë për BBC-në se kundërshton idenë që rritja e imigrimit është duke nxitur racizmin.

Ajo ka mbrojtur vendimet e Zelandës së Re për të pranuar refugjatë duke thënë se “ne jemi një vend mikëpritës”.

Kur është pyetur për rritjen e krahut të së djathtës ekstreme, ajo ka thënë:

“Ai ka qenë një qytetar australian, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi një ideologji në Zelandën e re që do të përbënte fyerje për shumicën e banorëve në këtë vend”.

Prandaj, ka thënë ajo, ekziton një përgjegjësi “për të çrrënjosur këtë ide kudo ku ekziston dhe të sigurohemi që të mos krijojmë kurrë një ambient të tillë”.

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri të premten, 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Të mërkurën është kryer ceremonia e parë e varrimit të viktimave, përkatësisht e një babai dhe djalit të tij.

Policia ka njoftuar të mërkurën se ka identifikuar gjashtë viktima të sulmit në xhaminë Al-Noor dhe ka shpresuar që të lirojë 50 trupat deri të fund të ditës.

Megjithatë, disa familjarë janë shprehur të zemëruar, për siç kanë thënë ata, vonesë të procesit.

Përndryshe, australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar është akuzuar për vrasje, në një proces gjyqësor që është mbajtur një ditë pas sulmit në Kristçërç.