Kryeministria siç nuk e keni parë

Edi Rama sjell fotografitë si e ka gjetur Kryeministrinë. Me 30 të tilla, secila më interesante se tjetra, ai shfaq gjërat e lëna pasdore nga Sali Berisha. Përfshirë edhe simbolet e shtetit.

Lajme

20/09/2013 21:04

Kolltuk i shqyer, stemë e Kryeministrisë me simbolin kombëtar e lënë përtokë, mure të shkarravitura dhe të tjera të lyera keq, tela të rrymës të nxjerra nga kutitë, dhe një çati që nuk të përngjan me atë një shtëpie të Qeverisë.

Janë imazhe fotografish të cilat i ka publikuar sot Edi Rama në profilin e tij në Facebook, me të cilat ai dëshiron t’u tregojë shqiptarëve si e ka gjetur Kryeministrinë, në ditët e para të marrjes së mandatit për të qeverisur Shqipërinë.

Janë 30 fotografi të tilla në albumin që ai e ka titulluar “Kryeministria siç nuk e keni parë”.

Në disa të tjera, Rama tregon punën që është duke u bërë për t’i riparuar dëmtimet brenda dhe jashtë ndërtesës së Kryeministrisë.