Kryeministri ukrainas: Ushtria ruse ka hyrë në Ukrainë

Burime të inteligjencës ushtarake ukrainase kanë konfirmuar faktin se personeli ushtarak rus është transferuar nga Rusia për në Ukrainë

Bota

19/01/2015 23:15

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Arseniy Yatsenyuk sipas mediave shtetërore ukrainase, raporton CNN.

“Sapo kam folur me sekretarin e Këshillit të Sigurimit dhe Mbrojtjes Kombëtare. Burime të inteligjencës ushtarake ukrainase kanë konfirmuar faktin se personeli ushtarak rus është transferuar nga Rusia për në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministri.  

Ndërkaq, dhjetëra njerëz janë vrarë ose plagosur, teksa luftimet përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore u përshkallëzuan. Beteja për të marrë nën kontroll aeroportin e Donetskut ende vazhdon, raporton BBC.

Edhe në regjionin e Luhansk-ut është raportuar të ketë pasur luftime. Të dy palët, si forcat ukrainase por dhe rebelët pro-rusë, kanë deklaruar se ata kanë nën kontroll aeroportin e Donetskut, e cila është një pikë strategjike.

Edhe gjatë ditës, autoritetet ukrainase kanë njoftuar se shumë trupa të ushtrisë ruse kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në territorin e Ukrainës, por një gjë të tillë e ka mohuar Moska zyrtare, e cila ka përsëritur pretendimet se një numër i “vullnetarëve” u janë bashkuar në luftime rebelëve pro-rusë.