Kryeministri turk: S’do të lejojmë kurrë ofendimet ndaj Profetit Muhamed

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, deklaroi sot se liria e shprehjes nuk nënkupton lirinë për të fyer dhe theksoi se s’do të lejojnë kurrë ofendimet ndaj Profetit Muhamed.

Bota

18/01/2015 16:52

Shefi i ekzekutivit turk e bëri këtë prononcim gjatë fjalimit të tij në kongresin e Partisë AK në Provincën Tekirdag, ku theksoi se Turqia është një pjesë e rëndësishme e historisë së Evropës dhe e tillë do të jetë gjithashtu në të ardhmen.

Davutoglu vuri në pah se javën e kaluar, në Paris, bashkë me liderët e tjerë botërorë, nuk kanë marshuar vetëm kundër terrorit, por njëherësh edhe kundër ksenofobisë dhe racizmit në rritje në Evropë, transmeton TRT. 

“Ne kemi shfaqur përherë një qëndrim parimor kundër terrorit, pa bërë kurrfarë dallimi mbi vendndodhjen e tij. Me këtë rast, i drejtohem vendit tim, Evropës dhe të gjithë globit: Liria e shprehjes s’do të thotë liri për të fyer. Në njërën anë do të qëndrojmë në këmbë dhe do të insistojmë fuqishëm në luftën antiterror, në anë tjetër do të gremë zërin tonë në kupë të qiellit edhe kundër fyerjeve drejtuar Profetit Muhamed, të cilin Allahu e ka dërguar si mëshirë për gjithësinë”, ka thënë ndër të tjera Davutoglu. (lajmi.net)