Kryeministri Thaçi prezanton shtëpinë Olimpike të Kosovës

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka premtuar se së shpejti do të fillojë ndërtimi i Pallatit Olimpik, respektivisht shtëpisë së përbashkët të Olimpikëve.

Sport

23/06/2014 23:24

Hashim Thaçi, Kryeministër në largim, ka premtuar se në një të ardhme të afërt do të fillojnë punimet për ndërtimin e Pallatit Olimpik.

Kreu i PDK-së i mirëpret propozimet për projektin që mund të përdoret për këtë objekt gjigant sportiv.

“Qeveria e Kosovës po vazhdon me investime në sport. Së shpejti do të fillojmë së ndërtuari Pallatin Olimpik, shtëpinë e përbashkët të Olimpikëve, Para-olimpikëve dhe Federatave sportive”, ka shkruar fillimisht Thaçi në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook.

“Ky investim prej 1.5 milionë euro do të bazohet në njërin nga propozimet që u prezantuan sot në Muzeun e Kosovës. Ju ftoj të shkoni edhe ju në Muze dhe të votoni për propozimin që ju pëlqen”, ka vazhduar ai.