Kryeministri serb: Kemi dyshime në rastin e serbit me 13 kg eksploziv

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se në rastin e arrestimit të serbit në Prishtinë, të cilit iu zunë 13 kg eksploziv, kanë dyshime të caktuara mbi qëllimin, por policia duhet të bëjë punën e tyre dhe duhet të priten rezultatet e hetimit. 

Lajme

27/12/2014 17:13

Vuçiq ka thënë se Serbia dyshon nëse e vërteta është ashtu si po paraqitet nga Prishtina zyrtare, por sërish duhet pritur rezultatet e hetimeve, transmeton lajmi.net. 

“Policia jonë po bëjnë punën e tyre … Ne kemi dyshime të caktuara, kush, çfarë, sa dhe në çfarë mënyrë dhe për kë ka qenë ajo materie, por po presim rezultatet i ndonjë hetimi serioz, dhe do t’ju informojë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për shtyp në Qeverinë e Serbisë. 

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se serbi arrestuar në Prishtinë me 13 kilogram eksploziv kishte “qëllim të qartë për të kryer një sulm terrorist”. 

Policia e Kosovës arrestoi dje Sllobodan Gavriqin, në afërsi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Përveç eksplozivit iu gjetën edhe harta të detajuara të Prishtinës. Atij sot iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. (lajmi.net)