Kryeministri na jep mend: Kemi tre muaj deri në fund të vitit, tre vite deri në fund të mandatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për të arriturat e Qeverisë së Kosovës për gjashtë muajt e parë në pushtet.

Lajme

22/09/2021 10:51

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka përmendur disa nga të arriturat e kësaj qeverie, duke kërkuar nga ministrat dhe institucionet që të ofrohet maksimumi i punës në mënyrë që të ketë arritje të vazhdueshme.

Ndër të tjerash, kryeministri ka përmendur edhe vendimin për arsim të lartë falas.

“Kemi marrë vendim që nga 1 tetori arsimi i lartë të jetë falas për të gjithë, pa dallim. Janë ndarë 1 milion euro bursa, ndërsa kemi marrë vendim edhe për lirimin nga pagesa për leje nga e cila kanë përfituar qytetarët”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se janë kursyer mbi 20 milionë euro me heqjen e homologimit, duke thënë se në këtë formë janë kursyer qytetarët.

“Pastaj kemi hequr Kartonin e Gjelbërt për mërgimtarët tanë.., Kemi shënuar përkrahjen më të madhe ndonjëherë për fermerët”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka bërë të ditur se kanë finaluzar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi dhe ka përmendur fuqizimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paarsyetuar.

Me të gjitha të arriturat deri më tani, Kurti ka thënë se është kthyer besimi i qytetarëve në institucione, duke thënë se ka ende punë për të bërë.

“Këta ishin vetëm 6 muaj, i kemi edhe 3 muaj deri në fund të vitit, edhe 3 vite deri në fund të mandatit, e pastaj edhe mandate të tjera”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se tashmë janë duke u bërë përgatitjet edhe për aplikimin në fondet IPA.