Kryeministri Mustafa: Përkrahja e SHBA-ve vitale për Kosovën dhe rajonin

17:37 | 13 Prill 2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Senatorin Amerikan, John McCain.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe Senatori McCain, biseduan për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe zhvillimet në Kosovë dhe më gjerë.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve në të gjitha fazat, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral me SHBA-të.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës, përkrahja e cilës është vendimtare për avancimin e proceseve në të gjitha fushat për Kosovën, rajonin dhe më gjerë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, e njoftoi Senatorin McCain për proceset në Kosovë dhe adresimin e çështjeve të mbetura në rrugën integruese evropiane, liberalizimin e vizave dhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës në koordinim të ngushtë me SHBA-të dhe NATO-n.

Senatori Amerikan, John McCain, vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve euroatlantike.

Senatori McCain, po ashtu, shprehu përkrahjen e SHBA-ve për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe proceset tjera vitale për qytetarët e Kosovës, duke e përgëzuar kryeministrin Mustafa për lidershipin e dëshmuar në proceset e deritashme.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për domosdoshmërinë e miratimit në Kuvendin e Kosovës të Marrëveshjes për ratifikimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila do t’i hapte rrugën shumë proceseve euroatlantike të Kosovës.