Kryeministri Mustafa: Nuk do të lejojmë monopol të bizneseve

Kryeministri Isa Mustafa thotë se qeveria që ai drejton, po punon që të krijojë kushte të barabarta për bizneset, por edhe për qytetarët. Ndërsa, për Gjykatën Speciale, Mustafa thotë se nga java e ardhshme do të fillohet me procedurat për ndryshimet kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate.

Lajme

01/03/2015 17:27

Mustafa në një intervistë për GazetënExpress, ka thënë se nuk ka zhvillim të mirëfilltë ekonomik, nëse nuk krijohen kushte të barabartë për konkurrencë në treg.

Për debatin e ditëve të fundit rreth cilësisë së grurit, kryeministri ka thënë se do të sigurohen analiza laboratorike të cilësisë së grurit dhe miellit që e përdorim dhe që është importuar. Po ashtu ka thënë se do të kërkoj një auditim të mënyrës së doganimit, përkatësisht zhdoganimit por edhe të tatimimit të subjekteve ekonomike, pa i dalluar ato.

Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Mustafa ka thënë se, qeveria që ai drejton është duke punuar në dokumentet të cilat hapin mundësi për themelimin e kësaj gjykate.

“Natyrisht se obligimet e tilla janë krijuar me ratifikimin e letrës nga ana e Kuvendit, që vitin e kaluar është këmbyer ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Përfaqësues së Lartë të BE-së. Një ekip profesional i institucioneve të Republikës së Kosovës po punon në harmonizimin e qëndrimeve me institucionet e BE-së për Ligjin mbi Gjykatën Speciale (nuk është përkufizuar qartë akoma titulli i ligjit), Statutin e Gjykatës si dhe për ndryshimet që duhet të bëhen paraprakisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për të shqyrtuar dhe aprovuar Ligjin dhe Statutin. Mendoj se javën tjetër Qeveria do të procedojë me propozimin për ndryshimet e Kushtetutës, për të cilat duhet të merret opinion i Gjykatës Kushtetuese, pa arritur në Kuvend. Presim që gjatë muajit mars dhe prill Kuvendi do t’i shqyrtojë dhe aprovojë këto dokumente”.

Mustafa ka folur edhe për procesin zgjedhor në LDK. Ai ka bërë të ditur se janë duke u bërë përgatitjet në të gjitha degët.

“Në shumicën e degëve është bërë regjistrimi i anëtarësisë, që do të lehtësojë mbajtjen e kuvendeve të nëndegëve dhe të degëve. Formalisht zgjedhjet do të fillojnë më 15 mars nëpër nëndegë, ndërkaq do të përmbyllen në degë në pjesën e parë të muajit maj”.

Lideri aktual i LDK-së, premton se ky proces zgjedhor do të forcojë dhe zgjeroj partinë.

“Në pjesën e dytë të muajit maj do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, ku do të zgjidhet Kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm si dhe organet e tjera të parapara me Statut të LDK-së. Objektivi themelor do të jetë forcimi dhe zgjerimi i mëtejmë i LDK-së në terren, përfshirja më e madhe e të rinjve dhe grave dhe e ekspertëve nga fusha të ndryshme”.

“Do të sigurohet një diversitet i veprimit të më shumë gjeneratave, duke pasur parasysh se sivjet LDK i mbushi 25 vjet të themelimit dhe aktivitetit të saj. Zgjedhjet do të kenë edhe një specifikë, duke e pasur parasysh se LDK për herë të parë po e drejton qeverisjen e vendit”.