Kryeministri Isa Mustafa viziton “Radoniqin” në Gjakovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, vizitoi Kompaninë Regjionale të Ujitjes “Radoniqi- Dukagjini”, në Gjakovë. Gjatë takimit me drejtuesit e Kompanisë, kryeministri Mustafa u njoftua për punën dhe projektet e kësaj kompanie.

Lajme

10/08/2015 14:34

Më pas, kryeministri Isa Mustafa ka vizituar tokat bujqësore që ujiten nga ky sistem, ku është takuar edhe me fermerët e asaj ane. “Ne dolëm sot të vizitojmë sistemin e ujitjes Radoniqi, dhe pastaj të shohim efektet konkrete në terren. Ne jemi përcaktuar si Qeveri që t’i japim prioritet mbi prioritetet zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit të bujqësisë në tërësi”, tha kryeministri Mustafa.

Duke vlerësuar punën e suksesshme të Ministrisë sa i përket granteve dhe subvencioneve për prodhuesit e drejtpërdrejtë bujqësor, por edhe për ndërtimin e infrastrukturës e cila do të rris rendimentet në bujqësi, kryeministri Mustafa theksoi se një prej aspekteve infrastrukturore të cilës do t’i jepet përparësi e veçantë, është pikërisht sistemi i ujitjes.

Kryeministri Mustafa po ashtu vlerësoi efektet e sistemit të ujitjes në rreth 5 mijë hektarë të cilat i mbulon Radoniqi, duke shprehur besimin së do të gjenden zgjidhje edhe për problemet me arkëtimet lidhur me shpenzimin e ujit.

“Orientimi ynë është që të zgjerojmë sistemin e ujitjes, së paku ta bëjmë dyfish apo trefish me atë që kemi tani, në mënyrë që të rrisim edhe numrin e kulturave që mbillen gjatë vitit në bujqësi, por të rrisim edhe rendimentet. Të gjitha analizat tregojnë se ato rendimente mund të dyfishohen apo trefishohen, me çfarë ne do të arrijmë të ulim importin e produkteve bujqësore, të rrisim dhe ta fuqizojmë eksportin, ta rrisim industrinë përpunuese të këtyre produkteve dhe të përmirësojmë bilancin tregtar dhe punësimin sepse kemi mundësi që të rrisim dukshëm  numrin e të punësuarve në bujqësi”, theksoi kryeministri Isa Mustafa. (lajmi.net)