Kryeministri Hoti: Vrasja e Ukë Bytyqit por dhe e të tjerëve, sulm i drejtpërdrejtë kundër LDK-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti  e ka kujtuar sot në 18 vjetorin e vrasjes, ish-Kryetarin e Komunës së Therandës, Ukë Bytyqi.

Lajme

27/10/2020 11:04

Hoti thotë se atë botë me anë të votës së lirë, qytetarët e Therandës vërtetuan paktin e mirëbesimit me anëtarin e LDK-së, Ukë Bytyqin.

”Tetëmbëdhjetë vjet më parë, me anë të votës së lirë, qytetarët e Therandës në mënyrë bindëse ia besuan Ukë Bytyqit, udhëheqjen e kësaj komune.

Qytetarët e Therandës e vërtetuan sërishmi paktin e mirëbesimit me Ukë Bytyqin, me njeriun që u kishte qëndruar pranë dhe që u kishte prirë edhe gjatë rezistencës paqësore, edhe gjatë luftës së armatosur për liri. Mirëpo, fitorja madhështore e LDK-së dhe e Ukë Bytyqit në zgjedhjet e lira i tërboi kundërshtarët e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, të cilët e ekzekutuan Ukën dhe dy shoqëruesit e tij, Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyqi”.

Sipas Hotit, akti i vrajses së Bytyqit ishte goditje e rëndë jo vetëm për familjen e tij por edhe për vet Lidhjen Demokratike të Kosovës.

”Ky akt i tmerrshëm ishte një goditje e rëndë për familjet e të rënëve, për LDK-në, për Komunën e Therandës dhe për mbarë Kosovën, e cila po përpiqej t’i vinte themelet e një shteti të konsoliduar e demokratik sipas shëmbëllimit të demokracisë së mirëfilltë euroatlantike.

Vrasja e Ukë Bytyqit, sikurse shumë vrasje të tjera politike në Kosovë, ishte sulm i drejtpërdrejtë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kundër të ardhmes së Kosovës. Planifikuesit dhe ekzekutorët e këtyre akteve të liga qëlluan mbi njerëzit më të devotshëm të vendit, mbi veprimtarët dhe prijësit e shquar të rezistencës paqësore dhe të luftës sonë për liri, mbi deputetë, kryetarë komunash e kryetarë të degëve të LDK-së, si dhe mbi bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe këshilltarët e Presidentit Rugova”.

Hoti në dedikimin e tij kushtuar veprës së Ukë Bytyqit ka përmendur edhe personalitete tjera të vendit që sipas tij u vranë vetëm se i qëndruan besnikë kauzës së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, për lirinë dhe pavarësinë, njofton Klan Kosova.

”Enver Maloku, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Smajl Hajdari, Ukë Bytyqi, Tahir Zemaj, Ekrem Rexha – Drini, Xhemajl Mustafa e shumë personalitete të tjera të nderuara të vendit u vranë vetëm pse i qëndruan besnikë të palëkundur kauzës së lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, në krye të së cilës ishte arkitekti i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova.

Për veprën e tij të madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Presidenti Rugova e dekoroi Ukë Bytyqin me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

Si emri i kësaj medaljeje, i artë ishte Uka ynë, njeri, prind, qytetar dhe prijës shembullor!

I bekuar qoftë përherë kujtimi për Ukë Bytyqin!

I bekuar qoftë përherë kujtimi për ata që punuan dhe u flijuan për atdheun tonë të dashur, Republikën e Kosovës!”.