Kryeministri Haradinaj – gruas së Shkëlzenit: Jeta ishte e padrejtë për ty

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”ia ka uruar ditëlindjen gruas së vëllait të tij të rënë dëshmor gjatë luftës së fundit në Kosovë, Shkëlzen Haradinajt, Suzanës.

Lajme

20/03/2019 22:44

Haradinaj ka publikuar disa fotografi, në të cilat ndër të tjerash shihet nëna e vëllezërve Haradinaj, Ruka, si dhe disa nga anëtarët e tjerë të familjes që po ia festojnë ditëlindjen Suzanës.

“Suzanë, urime ditëlindja me kujtimet më të mira për Shkëlzenin, Luanin, Enverin, Hilmiun e Shqipdonin. Jeta ishte e padrejtë për ty, por ti e Luani jeni inspirimi ynë. Ramushi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Shkëlzen Haradinaj, vëllai i kryeministrit Haradinaj kishte rënë dëshmor, derisa kishte lënë pas gruan Suzanën dhe dy djemët e tij, Shqipdonin dhe Luanin.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Rënia e Shkelzenit që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptar, derisa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë.