Kryeministri është përgjegjës për zvarritjen e themelit të FAK-ut

Jakup Krasniqi thotë për lajmi.net se futja e FAK-ut në rend dite në Kuvend, nuk është çështje e Kryesisë, por e Kryeministrit Thaçi. Sipas tij, shefi i Qeverisë duhet të bisedojë me partitë politike, për të siguruar numrat e nevojshëm.

Lajme

22/04/2014 15:23

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, thotë se futja e amendamenteve për themelimin e FAK-ut në rend dite për votim në Kuvendin e Kosovës, nuk është përgjegjësi e Kryesisë së Kuvendit, por e shefit të Qeverisë.

Reagimi i Krasniqit vjen pas deklaratave të Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili tha se shtyrja votimit të FAK-ut nuk mund të arsyetohet me asgjë.

Kreu i ekzekutivit në mbledhjen e sotme të Qeverisë, theksoi se nëse themelimi i FAK nuk votohet në ditët e ardhshme, atëherë Kosova do të humbë shansin për disa vite që ta ketë ushtrinë e saj.

Në këtë kontekst, Kryekuvendari Krasniqi, deklaroi për lajmi.net se shefi i Qeverisë duhet të komunikojë me partitë politike, përfshirë edhe ato të komuniteteve, në mënyrë që të arrijë numrat e nevojshëm për t’a kaluar këtë çështje e jo të fajësojë Kryesinë.

“Kjo nuk është çështje e Kryesisë së Kuvendit, kjo është çështje e shefit të koalicionit qeverisës, i cili duhet të komunikojë me partitë politike, përfshirë edhe ato të komuniteteve pakicë, për të arritur numrat e nevojshëm që të kalojë këto ndryshime kushtetuese”.

“Pra, përgjegjësia është e shefit të koalicionit qeverisës, nuk është as e Kryetarit, as e Kryesisë dhe as e Parlamentit”.

I Pyetur që të komentojë deklaratat e Kryeministrit Thaçi, i cili hodhi fajin tek Kryesia, Krasniqi dha këtë përgjigje: “Për këtë duhet ta pyesni Kryeministrin. Ai duhet të heqë dorë nga shefi i koalicionit dhe pastaj të formohet një koalicion i ri, përndryshe përgjegjësia është e shefit të koalicionit”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Çështja e Forcave të Armatosura vazhdon të mbetet peng i komuniteteve pakicë.

Për të kaluar kjo çështje në Kuvend, duhet që ndryshimet kushtetuese që kanë bëjnë me themelimin e FAK të marrin pëlqimin nga 2/3 e deputetëve shqiptarë dhe 2/3 e komunitetit pakicë.

Por, minoritetet votimin e FAK-ut  po e kushtëzojnë me vazhdimin e ulëseve të rezervuara.

Në retrospektivë, deputetët e komuniteteve jo shumicë janë deklaruar se do të përkrahin çdo ide që vjen në Kuvend, por duke mos lënë anash kërkesat e tyre.