Kryeministri e bën sefte Facebook’un

Kryeministri Hashim Thaçi i bashkohet Facebook’ut, me postimin e parë. Pak ditë pasi kjo platformë njohu Kosovën, e shumë kohë pas 'presionit' nga i biri, Kryeministri Thaçi ka shkruar sot se i erdhi koha edhe atij për Facebook.

Lajme

15/12/2013 15:20

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, më në fund, i është bashkuar rrjetit social Facebook, duke bërë postimin e tij të parë personal në faqen “Kryeministri i Republikës së Kosovës”, pak ditë pasi kjo platformë ka njohur Kosovën.

Ai ka treguar arsyet pse iu bashkua Facebook’ut.

“Më erdhi koha edhe mua ta përdor këtë rrjet social, pasi që djali im Endriti, tash e një kohë, është i zemëruar pse nuk jam edhe unë prezent në rrjete sociale.”

“Në ndërkohë, falënderova edhe zyrtarët e lartë të Facebook që e përfshinë Kosovën në listat dhe statistikat e tyre. Kjo do t’i ndihmojë edhe bizneset lokale në promovim.”

“Falënderoj edhe qytetarët e Kosovës që kanë dhënë kontribut me postimet dhe apelet e tyre. Së fundi, për këtë çështje u intervistova edhe nga New York Times. Lexojeni, nëse keni kohë.”

“Shpresoj të bashkëbisedojmë në këtë platformë. H. Th.”, ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi në llogarinë e tij në Faceboook.