Kryeministri argëtohet me fëmijët parashkollor

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar aktivitetet e tij edhe të martën duke i bërë një vizitë institucionit parashkollor “Bardha”  dhe Shkollës së Mesme Profesionale të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Abdyl Frashëri”, në Prishtinë.

Lajme

13/05/2014 16:16

Gjatë vizitës tek “Bardha”, Thaçi është takuar me drejtoreshën dhe stafin profesional të këtij kopshti, si dhe ka vizituar ambientet e këtij institucioni parashkollor, ku ka takuar për së afërmi dhe ka biseduar me fëmijët që ditën e kalojnë në këtë kopsht.

“Pasi ka falënderuar drejtoreshën e institucionit parashkollor ‘Bardha’, znj.Rexhepi-Çollaku për punën e shkëlqyer që është duke e bërë në sektorin e edukimit parashkollor, kryeministri Thaçi ka theksuar se ky kopsht është shembulli më i mirë i angazhimit të sektorit privat, duke krijuar 72 vende të reja të punës në 8 njësi të këtij biznesi privat anëekënd Prishtinës”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

“Është një mundësi e mirë që edhe ky sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm për fëmijët e Kosovës, për familjet kosovare, në veçanti për rolin e gruas në biznes dhe angazhimin e shpirtit të saj në sektorin privat, që të jenë përfitues të mëdhenj nga Fondi i punësimit që po krijohet, një fond prej 1.5 miliardë euro”, tha Thaçi.

“Unë kam besim të plotë se, përmes modeleve të tilla të çerdheve, që do të përfitojnë edhe nga ky fond, do të mund të krijojmë një bazë të fuqishme të edukimit për të ardhmen e të rinjve, po ashtu edhe për krijimin e kushteve dhe mundësive më të mira për inkuadrimin e femrës edhe në punë, si dhe për përkujdesjen familjare në të njëjtën kohë dhe, mos të mendojnë për familje apo për punë, por për të dyja këto njëkohësisht”.

Në përmbyllje të vizitës në institucionin parashkollor “Bardha” në Prishtinë, kryeministri Thaçi është argëtuar dhe ka lozur bashkë me fëmijët në oborrin e gjelbëruar të këtij institucioni parashkollor.

Ndërsa gjatë vizitës në Shkollën e Mesme Profesionale të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Abdyl Frashëri” në Prishtinë, ku u prit nga drejtori i shkollës, Bekë Mulaj, nga personeli arsimor dhe nga nxënësit e shkollës, Thaçi vlerësoi lartë përkushtimin e drejtorit dhe stafit mësimor të shkollës për të nxjerrë kuadro profesionale në fushën e agrobiznesit dhe teknologjisë.

“Arsimi profesional është kyç për të përgatitur punonjës të kualifikuar për sektorët strategjik që do të mundësojnë rritjen e ekonomisë së Kosovës, dhe Shkolla e Mesme Profesionale e Agrobiznesit dhe Teknologjisë ‘Abdyl Frashëri’ është shembulli më suksesit të një shkolle profesionale”, tha Thaçi.

Më tej, kryeministri Thaçi shtoi se në kuadër të fuqizimit të arsimit dhe aftësimit profesional do të punohet që të zhvillohet kurrikulat, që janë edhe më moderne dhe që adoptojnë praktikat apo arritjet më të mëdha ndërkombëtare.

“Si pjesë e programeve shkollore do të inkuadrojmë edhe praktikën, pra edhe bërjen e internshipeve pranë ambienteve reale të punës në mënyrë që nxënësit të dalin nga shkolla jo vetëm me dije e shkathtësi, por edhe me përvojë konkrete”, u shpreh Thaçi.