Kryefjala politike: Zhgënjimi, jo ndryshimi

Po të krijohej në vend ‘Partia e të zhgënjyerve’, dhe nëse ajo do t’i bënte për vete vetëm gjysmën e të zhgënjyerve kosovarë, ky subjekt do të dilte fitues fuqiplotë i këtyre zgjedhjeve

Opinion

30/01/2020 08:40

Shkruan: Blerim Shala

Kemi nisë të harrojmë kur janë mbajte zgjedhjet në Kosovë. Kemi nisë të harrojmë pse u dashtë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Nuk mbajmë më në mend as çfarë u tha dhe çka u premtua krejt në atë fushatën para votimit të 6 tetorit.

Kosova duhej të bëhej një ‘Tokë e premtuar’, pak a shumë, me të gjitha të mirat.

Këtë nuk e kemi harruar.

Gjithçka do të ishte ndryshe në këtë vend. Zaten, fjala magjike që duhej t’i hapte dyert e fitores për partitë kryesore në vend ishte: ‘ndryshimi’.

Të gjithë bënin be në këtë fjalë. Të gjithë zotoheshin për te, nëse do të ngadhënjenin në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kjo ishte kryefjala e rrëfimit të 6 tetorit.

E dimë çka ndodhi të dielën e parë të tetorit.

Raporti i forcave politike në skenën politike të vendit, objektivisht, ishte pak a shumë si ai i para dy viteve. Nuk pati këtu fare ndryshim. Sidoqoftë, mënyra e interpretimit të rezultateve të zgjedhjeve i dha krah një rrëfimi objektivisht të paqenë, gjithsesi duke ndërlidhë edhe një shpresë të re  (të madhe), me renditjen e partive në statistikat zgjedhore dhe në mundësinë e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Nuk pati kurrfarë ndryshimi as në ato procedurat e mbërritjes tek Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Sërish pati ankesa, rinumërime, telashe të gjithëllojshme, dhe vonesa të cilat po e dëmtojnë besueshmërinë e zgjedhjeve, edhe pse si rëndom viteve të fundit, vet dita e zgjedhjeve pa kalon shumë mirë, dhe nuk po ka kush që nuk po e pranon epilogun e zgjedhjeve. Megjithatë, u deshën gati dy muaj kohë për t’i dhënë fund formalisht zgjedhjeve parlamentare.

Ndryshimi tjetër që nuk ndodhi, e të cilin me gjasë e pritën të gjithë, pa marrë parasysh se për ke votuan me 6 tetor, kishte të bënte me kohën që do të duhej të shfrytëzohej për ta bërë Marrëveshjen për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. Jo vetëm aspiruesit për ta bërë këtë Qeveri, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ dhe LDK, por edhe të gjitha partitë të tjera, gjithsesi edhe faktori ndërkombëtarë, së bashku me atë Listën e detyrave dhe obligimeve të cilat e prisnin Qeverinë e re, theksonin që definicioni kohor i krijimit të kësaj Qeverie është urgjenca, dhe që deri në fund të vitit  (2019), jo vetëm që do të funksionalizohet Qeveria e re, por gjithashtu, do të miratohet edhe Buxheti i ri, ai i vitit 2000.

Edhe kësaj here po del, ashtu siç ishte edhe pas të gjitha zgjedhjeve parlamentare në Kosovën si shtet të pavarur, që nuk është edhe aq e lehtë të bëhet Marrëveshja për bashkëqeverisje, dhe që interesat e veçantë të politikanëve dhe të partive politike, nuk po arrijnë të dyzohen shpejtë në trajtën e një Qeverie që bëhet shpejtë, dhe që me këtë shpejtësinë e saj konfirmon ndryshimin e shumë proklamuar në politikën kosovare.

Në një mënyrë apo tjetrën pra, për shkak të këtyre zhvillimeve të cilat u rikujtuan me të shpejtë këtu, në këtë shkrim, duket që ka ndodhë një devalvim evident i pritjeve të mëdha për ndryshimin substancial në politikën kosovare.

Një ngecje e kësisoj në ndërmarrjen e krijimit të Qeverisë së Kosovës, nuk mund dot të tejkalohet me zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, edhe nëse hulumtimet më të reja të opinionit favorizojnë ndonjë parti. Çfarë është pak a shumë e sigurt është që pjesëmarrja e qytetarëve të vendit në zgjedhjet e reja, kurdo që ato do të mbaheshin në pranverën e këtij viti, nuk do të jetë as përafërsisht si ajo e tetorit të vitit të kaluar. Janë të shumtë qytetarët, votues apo abstenues  (në zgjedhje), të cilët janë bashkuar rreth zhgënjimit të tyre me mënyrën se si (s)po funksionon politika kosovare, dhe se si po humbet koha me aq zell nga kjo politikë.

Zaten, në teori së paku, nëse do të bëhej një parti e re në Kosovë, e emëruar ‘Partia e të zhgënjyerve’ kosovarë, dhe nëse ajo do të arrinte të bëjë për vete vetëm gjysmën e atyre që janë të mërzitur dhe të zhgënjyer me gjendjen politike në vend, me siguri që ky subjekt i ri do të dilte fitues fuqiplotë i këtyre zgjedhjeve, duke marrë mandatin e qartë të bërjes së Qeverisë së re.

Zhgënjimi fitoi ndaj Ndryshimit. Edhe një herë.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)