Kryediplomatja fillon vizitën zyrtare në Hungari, sot nënshkruan tri marrëveshje 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot qëndron për vizitë zyrtare në Hungari, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë hungarezë dhe studentë nga Kosova në Budapest.

Lajme

29/10/2020 08:23

Kryediplomatja kosovare, do të pritet në takim nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin do të diskutojë zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Siç njofton kumtesa, gas këtij takimi, ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri Szijjarto do të nënshkruajnë tri marrëveshje dypalëshe – Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve; Programin e Bashkëpunimit mbi Shkencën dhe Arsimin e Lartë për vitet 2021-2023; si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit Brenda Kornizave të Bashkëpunimit të “Stipendum Hungaricum Programme” për vitet 2020-2023.

Gjatë qëndrimit në Budapest, shefja e diplomacisë kosovare, do të vizitojë edhe Parlamentin hungarez, ku do të ketë takim me kryetarin e komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, z. Zsolt Nemeth. /Lajmi.net/