Krul zbulon sekretin e penalltive

Portieri i Holandës, Tim Krul ka zbuluar sekretin e tij pasi priti dy penallti të Kosta Rikës në kualifikimin e Tulipanëve për në gjysmëfinale të Kampionatit botëror.

Sport

06/07/2014 11:38

Louis van Gaal befasoi të gjithë kur inkuadroi në lojë portierin Tim Krul në vend të Jasper Cillesën pak para përfundimit të vazhdimeve mes Holandës dhe Kosta Rikës.

Kjo, në mënyrë që ai të jetë në portë për ekzekutimin e penalltive.

Dhe, vendimi i doli i qëlluar pasi Krul priti dy goditje të kundërshtarit duke ndihmuar Holandën që të kualifikohet në gjysmëfinale të Kampionatit botëror ku do të ndeshet me Argjentinën. Krul ka zbuluar sekretin e tij.

“Ju duhet të prisni sa më gjatë të jetë e mundur dhe të përcaktoheni për një krah. Nëse e qëlloni, fantazi”, deklaroi ai.

Portieri i Newcastles theksoi se ka bërë punë të madhe përveç dy penalltive të pritura.

“Pritja e dy penalltive, nuk është diçka normale. Por, është rezultat i punës së madhe që kam bërë në gjashtë muajt e fundit”, u shpreh ai.