Kroos: Spanja na mësoi sesi luhet futbolli

Toni Kroos e ka pranuar se Spanja i tregoi Gjermanisë sesi luhet loja e futbollit me dhe pa top, pasi ia shkaktoi një disfatë historike 6:0 të martën në Ligën e Kombeve.

Sport

18/11/2020 09:54

Skuadra e Luis Enriques i shënoi nga tri gola në secilën pjesë të lojës dhe e mbizotëroi duelin nga fillimi deri në fund, pasi ndeshjen e përfundoi me 70 për qind posedim të topit dhe me 23 goditje në portë krahasuar me dy të Gjermanisë.

Kjo ishte humbja më e thellë e Gjermanisë në një ndeshje garuese, pasi ekipi kombëtar gjerman nuk i kishte pësuar gjashtë gola që nga ndeshja e vitit 1958 kundër Francës.

Edhe pse gjatë karrierës së tij është mësuar më shumë t’i fitojë ndeshjet në këtë mënyrë, mesfushori i Real Madridit Kroos e pranoi se Spanja ishte thjesht superiore në çdo mënyrë dhe se ia dha Gjermanisë së tij një mësim të rëndësishëm.

“Kjo humbje dhemb. Në mbrojtje, nuk patëm qasje fare. Spanja na tregoi si duhet të mbrohemi, si duhet të luajmë me topin dhe pa topin”, tha Kroos për ARD.

Kjo ishte humbja e parë e skuadrës së Joachim Low pas 12 ndeshjeve pa disfatë.

Disfata e fundit e Gjermanisë ishte kundër Holandës në shtator të vitit 2019.