Krizë energjetike edhe gjatë verës!

Kosova rrezikon që të hyjë në krizë të energjisë elektrike për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë së mjaftueshme për furnizim, pas shpërthimit që ndodhi në elektrolizën në “Kosova A”.

Lajme

01/07/2014 09:32

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra ka thënë për “Koha Ditore” se vetëm në qershor, KEDS ka importuar energji elektrike në vlerë prej një milion euro. Ai ka shtuar se edhe në muajt në vijim, Kosova nuk do të ketë kapacitete të mjaftueshme energjetike, pasi që gjatë muajve të verës, vetëm dy njësi gjeneruese operojnë.

“Vetëm gjatë muajit qershor, KEDS-i ka importuar rreth një milion euro energji shtesë, duke përfshirë edhe sasinë prej 50 MW shtesë të cilën KEK-u është duke e siguruar për KEDS-in nga Shqipëria”.

“Problemet me kapacitetet të pamjaftueshme energjetike do të vazhdojnë edhe në muajin korrik. Duke pasur parasysh që gjatë muajit korrik prodhimi vendor i energjisë elektrike mbështetet vetëm në kapacitetet gjeneruese të një njësie në termocentralin “Kosova B” dhe vetëm një njësie gjeneruese në termocentralin “Kosova A”, kostot ditore të importit shtesë të paplanifikuara mund të varijojnë ndërmjet 100-200 mijë euro varësisht nga çmimi i konsumit”.

Shkodra ka thënë se me të hyrat momentale që ka KEDS është e vështirë që të mbulohen të gjithë importi i nevojshëm shtesë. Andaj ai paralajmëron se në 4 muajt e ardhshëm, Kosova mund të ballafaqohet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

“Me të hyrat momentale të KEDS-it fatkeqësisht nuk mund të mbulohet importimi i energjisë elektrike. Kostot shtesë të importimit të energjisë elektrike janë të rëndësisë së veçantë dhe nuk janë parapara nga ZRE gjatë përcaktimit të tarifave dhe momentalisht parashikohet devijim i lartë nga bilanci energjetik i paraparë që KEDS-in e ë në humbje të mëdha”.

“Rreziku me të cilin Kosova ballafaqohet është mungesa e kapaciteteve rezervë, në 4 muajt në vijim KEK-u do të mbështetet vetëm në dy njësi gjeneruese që në vazhdimësi mund të ballafaqohen me prishje për shkak të moshës së vjetër. Në raste të tilla të mungesës së rezervave dhe kapaciteteve energjetike, Kosova mund të ballafaqohet me kriza energjetike”, ka thënë Shkodra, shkruan sot “Koha Ditore”.