Kriza e Ballkanit, pushimi i “mirëseardhur” dyjavor, beteja e radhës kundër Gjilanit – flet Thaqi

Ballkani po kalon nëpër një formë jo të mirë të rezultateve xhirove të fundit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Ilir Daja nuk dinë për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kampionët në fuqi kanë pasur kohë dy javë të “mbushin bateritë” për vazhdimësinë…

Sport

30/03/2023 15:25

Ballkani po kalon nëpër një formë jo të mirë të rezultateve xhirove të fundit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Ilir Daja nuk dinë për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kampionët në fuqi kanë pasur kohë dy javë të “mbushin bateritë” për vazhdimësinë e kampionatit.

Rreth formës së ekipit suharekas, pushimit dyjavor për shkak të kombëtareve, ndeshjes së radhës kundër Gjilanit dhe “finalet” e edicionit drejt titullit kampion, ka folur për lajmi.net, mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi.

Thaqi tha se përkundër formës jo të mirë që e kanë kaluar në takimet e fundit, ai me bashkëlojtarë kanë bërë paraqitje të mira.

Nuk kemi qenë në situatë shumë të mirë për shkak se kemi lëshuar disa pikë dhe normalisht që nuk jemi të kënaqur, sepse nuk është pritur, mirëpo kjo na jep shpresë. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira mirëpo nuk kemi realizuar në raste të pastërta dhe normalisht kemi lëshuar pikët” – tha Armend Thaqi të enjten për lajmi.net.

Pushimi dyjavor, sipas Thaqit, ka ardhur në momentin e duhur për Ballkanin.

Thaqi shtoi se kjo kohë e ka ndihmuar atë dhe bashkëlojtarët të kthehen në formë dhe të vazhdojnë rrugëtimin për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Pushimi dyjavor ka ardhur në momentin që na u është dashur të gjithëve. Na ka shërbyer në maksimum për me u rikthy sa më mirë në formë sepse me qenë realist edhe si individë kemi qenë larg formës që kërkohet dhe duhet pranuar. Besoj që edhe ekipi edhe gjithë individët do kthehemi në atë formën tonë maksimale dhe të vazhdojmë edhe këto 10 finale që na kanë mbetur”, vazhdoi ai.

Ballkani takimin e radhës e luan në shtëpi kundër Gjilanit.

Mbrojtësi i krahut të suharekasve, Thaqi ka vlerësuar “kuqebardhët”, por ka thënë se ata duhet ta mposhtin ekipin nga Anamorava.

Ndeshjën e radhës e kemi të shtunën kundër Gjilanit. Ata janë një kundërshtar shumë i fortë. Mirëpo duhet harruar gjitha ndeshjet e kalara dhe duhet ta fitojmë këtë “finale” sepse nuk kemi hapësirë për të lëshuar pikë në vazhdim”, përfundoi Thaqi.

Ballkani pas 26 ndeshjeve të zhvilluara renditet i dyti me 51 pikë në tabelë, një më pak se Drita, rivalja direkte në garë për titull.

“Portokallezinjtë” janë në garë vetëm për titull të kampionit, pasi pak javë më parë u eliminuan edhe nga Kupa e Kosovës./Lajmi.net/