Kritikët le të presin deri në mbledhjen tjetër

Të dy llojet e kritikave kanë emërues të përbashkët të tyre mosbesimin apo skepticizmin, shfaqje psikologjike të cilat ndërtohen, veç të tjerash, dhe mbi njohjen e caktuar të problematikës së përbashkët të dy vendeve.

Opinion

19/01/2014 19:43

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren ende po komentohet dhe kritikohet nga një pjesë e opinionit publik në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë tyre.

Pjesa më e madhe e kritikave rreth kësaj mbledhjeje grupohet në dy kategori.

Së pari, ata që e kritikojnë mbledhjen për mungesën e konkretësisë dhe, së dyti, ata që e kritikojnë për simbolikën e rënduar nacionaliste sipas kritikëve që njihen për qëndrime të mëhershme kozmopolite etj., dhe që në emër të tyre e kanë gjithmonë në shënjestër shndërrimin nacionalist të Ramës.

Të dy llojet e kritikave kanë emërues të përbashkët të tyre mosbesimin apo skepticizmin, shfaqje psikologjike të cilat ndërtohen, veç të tjerash, dhe mbi njohjen e caktuar të problematikës së përbashkët të dy vendeve. Mbi këtë njohje që rezulton e kufizuar, shfaqet përbuzje për këtë që quhet “gjetje e re” e ngarkuar shumë, sipas tyre, me elemente nacionaliste.

Nuk ka dyshim se në simbolikën e ndërtuar me gjasë në shumicën e tyre, prej mikpritësit, zotit Hashim Thaçi, kishte dhe elemente të tilla siç ishte godina e Lidhjes së Prizrenit, apo logoja ndërtuar rreth qytetit ku u zhvillua mbledhja. Por për shkak të modelit të përdorur -, takimet e përbashkëta të dy qeverive -, model që përdoret në rrafsh europian dhe ballkanik prej kohësh, për këtë takim fqinjët u detyruan të heshtin.

Madje, vizitat me gjasë të organizuara prej kohësh, vizita e ministres së Mbrojtjes në Greqi (e pritur në të gjitha nivelet e shtetit grek) dhe vizita historike e vetë Ramës në Serbi 68 vjet pas Enver Hoxhës, tregojnë se këto elemente skenografike, apo pjesërisht retorike, nuk kanë krijuar shqetësime më të mëdha te fqinjët se sa te kritikët e brendshëm.

Edhe vetë Berisha, kritiku më i madh i Ramës, e vlerësoi takimin e Prizrenit, hiq krahasimin me datën e themelimit të Republikës.

Nga dy llojet e akuzave, ajo e konkretësisë ngjan më realistja. Le të mbetemi atëherë te konkretësia e një takimi të tillë. Nuk ka dyshim se ideale do të ishte që një mbledhje e tillë të kishte rezultate konkrete, por prej kritikëve të këtij rrafshi, që gjithashtu tentojnë të minimizojnë rëndësinë e një takimi si ky, harrohen disa elemente. Ose nuk njihen disa elemente të këtij takimi. Ose ata nuk duan t’i shohin ato.

Elementet thelbësore të takimit të Prizrenit

Ky ishte vetëm takimi i parë i dy qeverive që kanë pasur dy kushtëzime të rëndësishme kohore. Qeveria e Kosovës ka vetëm pak muaj që ka dalë nga periudha e pavarësisë së mbikëqyrur. Qeveria e Shqipërisë ka vetëm pak muaj që ka nisur aktivitetin, ndaj s’mund të kishim menjëherë vendime konkrete prej të dyja palëve, të nënshkruara njëkohësisht në një forum si ai i Prizrenit.

Së dyti, takimi i Prizrenit, që u quajt unik në përmbajtje për shkak të shqiptarësisë së dy qeverive, është fillim i një procesi zyrtar që duhet të vazhdojë me takime të tjera periodike, pse jo dhe në nivel të parlamentarëve, të shoqërisë civile etj. Por ama, dhe si fillim, ai është paraprirë nga një aktivitet i dendur, i cili ka cilësor emëruesin më të madh të përbashkët, aktivitet akademik.

Ky aktivitet i organizuar nga universitete, nga politikanë të caktuar si Arben Xhaferi, tre ish-presidentë të dy vendeve, në fakt kishte identifikuar disa fusha ku mund të arrihej dhe në vendimmarrje, siç është energjetika, sektori fiskal, ai arsimor, telekomunikacioni etj.

Pra, qeveritë mund t’i shfrytëzonin këto arritje dhe të arrinin në marrëveshje konkrete që në takimin e parë. Ky ndoshta mund të quhet një lloj mëkati i takimit të Prizrenit, por që relativizohet për shkak të kushtëzimeve kohore.

Ndërkohë nuk mund të qortohet si jokonkret një hap i parë i këtij procesi, që ngatërrohet me tërë procesin e pandërprerë të një vendimmarrjeje kolektive, harmonizuese të interesave të dy pjesëve të kombit, që është arritja më e madhe e shpallur në takimin e Prizrenit.

Prej skeptikëve të mbështetur në mosnjohje dhe mosbesim, kritikohet dhe përmasa e grumbullimit, domethënë mbledhja e dy qeverive në format të plotë, diçka që konsiderohet si element propagandistik dhe i panevojshëm. Jo, ky lloj tubimi i dy qeverive në format të plotë nënkupton krijimin e një institucioni të ri, e një trupe të re vendimmarrëse kombëtare, pra institucionalizimi është përmasa më e rëndësishme e këtij procesi.

Në mënyrë të pavetëdijshme kritikët që shprehin pritshmëri të madhe prej tij, apo vendime konkrete, praktikisht e nënkuptojnë se mbledhja ishte institucion, ndaj prej tij priteshin vendime.

Skeptikët dhe kritikët e retorikës apo skenografisë nacionaliste injoruan apo nuk donin të shihnin se ky takim, ky institucion që po krijohet praktikisht, është një model më së shumti europian funksionimi.

Ekziston në zona të caktuara të Europës, si vendet skandinave, ato të Beneluksit dhe vetë Bashkimi Europian funksionon pak a shumë në të njëjtin format, duke u diferencuar më në fund sipas fushave të funksionimit. Ekziston dhe gjetkë jashtë Europës. Në këto zona të Europës së Bashkuar, ndërkohë vendet kanë krijuar dhe institucione të përhershme që kanë administratën e tyre, duke i quajtur ato këshilla, unione, organizata, liga etj., institucion që në rastin e shqiptarëve, Arben Xhaferi në fillim donte ta quante Komunuelth.

Me këtë premisë nuk kuptohet se si diçka që e bëjnë europianët e “mirë”, nuk duhet ta bëjnë europianët e prapambetur, që quhen dhe nacionalistë.

Dhe më në fund, mbështetur mbi këto përfundime, janë dhe dy momente të tjera me rëndësi thelbësore. Injorohet se këto dy vende, pjesë e një hapësire gjeografike të vijueshme ku jetojnë popullsi që i përkasin të njëjtit komb, ku ka potenciale të mëdha ekonomike, natyrore, njerëzore, të cilët u copëtuan më 1878-n, më 1912-n dhe presin të rikrijohen, janë vendet më të varfra të rajonit dhe të Europës.

Të kompleksuar dhe nën trysninë e kritikëve të brendshëm, të korruptuar nga aktorë ekonomikë të huaj, këto dy vende vuajnë krizën energjetike, konkurrencën e aktorëve të jashtëm ekonomikë, atyre të brendshëm të vegjël në përmasa, ndërkohë kur dhe sipas direktivave të Unionit Europian, Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë realitet ekonomik të përbashkët.

Injorohet rëndësia jetike e harmonizimit të interesave midis dy pjesëve të kombit, krijimi i tregut të përbashkët si burim mbrothësie të përbashkët, krijimi i energjive të reja, subjekteve të reja të gjithanshme prej heqjes së barrierave në fushën e telekomunikacionit, infrastrukturës, shëndetësisë etj.

Injorohet, s’dihet pse, se pikërisht kështu të bashkuar shqiptarët bëhen dhe më interesantë për iniciativa në këto fusha që kanë karakter global, siç janë korridoret infrastrukturore botërore. Injorohet rëndësia e shfaqjes vizive të këtij harmonizimi, që në rastin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive merr formën më të plotë të mundshme.

Injorohet më në fund se ai që e quajnë konvertim i vonuar i Ramës në nacionalist, në fakt është shfaqja tjetër e një politike rajonale të drejtë dhe që çuditërisht nuk po krijon në rajon reagimet që prisnin kritikët. Qeveria “Rama” ka treguar dinjitet në raport me grekët, madje qëkur PS ishte në opozitë, siç u tregua me Marrëveshjen e detit; është hapur ndaj një marrëdhënieje të fortë partneriale me Turqinë; ka marrëdhënie normale me Maqedoninë, po realizon vizitë të nivelit të lartë me Serbinë, dhe ndaj Kosovës ka qasje integruese ndërshqiptare.

Kritikët duhet të presin, megjithatë. Pikërisht ekzistenca e këtyre elementeve thelbësore të ngërthyera brenda një forme të tillë takimi, rrit shumë pritshmëritë e takimit të dytë të Vlorës. Nëse takimi i dytë s’është konkret në drejtimet që nënvizuam më sipër, atëherë të gjithë duhet të shqetësohemi.

 

(Panorama)