Kritikat e Avokatit të Popullit për reformën zgjedhore

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi kërkon që pragu zgjedhor për partitë politike, koalicionet dhe iniciativat qytetare të jenë 3%. Kërkon që vota e partisë të mos i shkojë automatikisht bartësit të listës.

Lajme

02/03/2014 10:14

Ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet nga Komisioni për Legjislacion, ka marrë kritika nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, e ka quajtur kundërkushtetues, pragun e lartë zgjedhor për partitë dhe kandidatët e pavarur si dhe përfshirjen e normës që vota e partisë t`i shkojë bartësit të listës, transmeton Radio Kosova.

Avokati i Popullit ka dërguar dy rekomandime në adresë të Komisionit Legjislativë, duke propozuar që pragu zgjedhor të ulet, Ndërsa nuk e përjashton mundësinë që këtë çështje ta dërgojë edhe në kushtetuese.

“Jo vetëm në Kushtetutë, por në asnjë ligj nuk gjendet e drejta e dikujt që të merret vesh që dikujt tjetër t’ia kufizojë të drejtën të zgjedh, ose të zgjidhet”, tha Kurteshi për Radio Kosovën.

“Vota e hedhur t’i shkojë automatikisht kandidatit të parë në listë, është shkelje e pakuptimtë e nenit themelor të kushtetutës, barazisë para ligjit.

“Dalja në zgjedhje, nuk është më çështje vetëm e partisë. Aty merren votat e njerëzve të shoqërisë dhe aty nuk do duhej të dallohej asnjë njeri”, tha ai.

“Ky lloj i privilegjimit kundërkushtetues të hiqet nga ligjet”, tha ai.

Rekomandimet e Kurteshit nuk janë marrë në konsideratë nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion. Megjithatë, Avokati i Popullit pret një reflektim nga Kuvendi, në të kundërtën do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Në qoftë se shkon kjo më tutje, natyrisht se Avokati i Popullit do të sheh t’i ndërmarr të gjithë ata hapa që janë në kompetencën e tij. Njëri ndër ata hapa mund të jetë ngritja e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurteshi.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, në rekomandimet që  ka dërguar Kuvendit, kërkon që bartësi i listës të jetë në listën e votimit dhe jo vota t`i shkojë në mënyrë të drejtpërdrejtë atij. Ndërsa, për partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare te kenë një prag zgjedhor prej 3%.