Të Infektuar: 57.317

Të Shëruar: 50.487

Të Vdekur: 1.447

Kritika për dizajnin e shtatoreve të Skënderbeut e Adem Jasharit, që u inauguruan dje në Prizren

13:36 | 29 Nentor 2020

Kritika të shumta ka pasur për dizajnin e shtatoreve të heronjve Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Adem Jashari që u inaguruan dje në Prizren.

Dizajni i shtatoreve ka bërë bujë në rrjetet sociale dje, pasi ato u zbuluan në ditën e Flamurit.

“Marrëzitë tona kolektive në reprezentimin e historisë sonë përmes artit publik dhe jo vetëm. Ne po i fyejmë në emër të nderimit. Sa e turpshme dhe e dhimbshme për të gjithë ne. Kjo gjë duhet të ndaloj, si për ata që në emër të artit kanë shëmtuar e degraduar hapësirat tona publike e si për porositësit që në emër të lavdisë mbyllin sytë para këtyre lloj ‘veprave’ që na fyejnë të gjithë pa dallim e më së shumti këto personalitete. Lavdi marrëzisë”, ka shkruar Eliza Hoxha e PDK-së.

Ashpër ka reaguar edhe Blerta Deliu e PDK-së.

“Shtatoret nuk janë ‘flyer-a’ elektoral për një përdorim. Ato monumentojnë një ngjarje apo epokë historike. Me të njëjtin seriozitet të trajtimit të historisë duhet gdhendur edhe figurat që identifikojnë periudhat e caktuara historike. Shpërfytyrimi i këtyre figurave, në esencë, deformon dhe vetë historinë. Sa i respektojmë, e tregojmë në mënyrën se si i kujtojmë! #kiç #shëmti #pseudovlerë #marre”, ka shkruar Deliu.

Ka reaguar edhe koordinatori për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, e po ashtu edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Madje Ahmeti ka paralajmëruar se nëse shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri, është e njëjta me maketën e prezantuar, atëherë nuk do të lejohet vendosja e saj.

“Sot jam edhe më i bindur. Në qoftë se shtatorja e Fadil Vokrrit është e njëjta me maketën e prezantuar më herët, ku lidhje me Fadilin s’ka, nuk do ta lejojmë vendosjen. Shtatorja e Bill Clinton tashmë është landmark, me bo fotografi për të qeshur. Ndoshta duhet me e lënë këtë punën e shtatoreve. Na ka mbet ajo e komandantit Adem Jashari për të cilën jemi dakorduar me familjen Jashari që në Prishtinë duhet të jetë ndryshe. Ndoshta me të fillon etapë e re e shtatoreve, me porosi e jo me karikatura. Urime dita e flamurit!” – ka shkruar Ahmeti në Facebook.